Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari, Glauk kanë bërë homazhe te varri i ish-presidentit, Ibrahim Rugova e ish-veprimtarit Adem Demaçi dhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz në nder të 15-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Krerët e Kosovës ishin të shoqëruar edhe nga presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.
Gjatë homazheve në Prekaz, presidentja Osmani ka thënë se në këtë 15-vjetor të Pavarësisë nderohet sakrifica e gjithë atyre që dhanë jetën që populli i Kosovës të jetojë i lirë dhe i pavarur.
Osmani: Në këtë ditë kujtojmë të gjithë ata që u sakrifikuan për liri e pavarësi
“Në këtë 15 vjetor të Pavarësisë, kujtojmë sakrificën e të gjithë atyre që dhanë më të shtrenjtën jetën e tyre në mënyrë që populli i Kosovës të jetojë i lirë dhe i pavarur. Jemi këtu me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, kryeministrin e kryeparlamentarin, për të nderuar sakrificën e familjes Jashari që nëpërmjet tyre u vunë themelet e forta të shtetit tonë. Pak më herët nderuam presidentin historik Ibrahim Rugova dhe veprimtarin Adem Demaçi. Natyrisht që bëmë nderime edhe te monumenti i të pagjeturve që u zhdukën me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë, për të kujtuar plagët e tyre”, ka thënë Osmani.
Kurti: Prishtina është kryeqyteti i Republikës së Kosovës, Prekazi kryeqyteti i kreyengritjes shqiptare
Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Prishtina është kryeqyteti i Republikës së Kosovës ndërsa Prekazi është kryeqyteti i kryengritjes shqiptare.
“Teksa festojmë dhe gëzohemi, i kujtojmë me mall, dhembje, krenari ata të cilët u vetëmohuar, sakrifikuan dhe dhanë jetën e tyre për lirinë e vendit. Prishtina është kryeqyteti i republikës, Prekazi është kryeqyteti i kryengritjes shqiptare andaj ardhja jonë këtu në këtë kaq të rëndësishme për popullin dhe historinë tregon që rruga jonë përpara e ka në kujtesë dhe në mendje çmimin e lartë që ka paguar për lirinë që ka dhënë. Urime pavarësinë”, ka deklaruar Kurti.
Konjufca: Sakrifica e familjes Jashari e ka ngritur kombin shqiptar në një dimension tjetër
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, duke uruar 15 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, ka thënë se pavarësia dhe liria e vendit nuk do të ishte e mundur pa luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Sipas tij, momenti më i lavdishëm i luftës çlirimtare të popullit tonë ka qenë lufta e Jasharajve, lufta e Prekazit kundër Serbisë për çlirim dhe flijimi i familjes Jashari.
Po ashtu, ai ka thënë se sakrifica e familjes Jashari e ka ngritur kombin shqiptar në një dimension tjetër, por sipas tij, nga ana tjetër ka zgjuar botën dhe ka tronditur ndërgjegjen ndërkombëtare.
“Dhe prej atij momenti nuk ka pasur askush dyshim që liria për popullin shqiptar dhe liria e Kosovës është e pashmangshme. Prandaj gjithmonë do të vijmë këtu që të përkulemi përpara kësaj sakrifice madhështore e cila do të kujtohet gjithmonë prej brezave që vijnë. Urime pavarësia e Kosovës”, është shprehur Konjufca.
Begaj: Shteti i lirë dhe i pavarur ka qenë amanet i dëshmorëve të kombit
Ndërkaq i pari i Shqipërisë, Bajram Begaj ka thënë se kjo datë është amaneti dhe trashëgimia që ka lënë ish-presidenti, Ibrahim Rugova dhe komandanti legjendar, Adem Jashari.
“Kënaqësi të jem këtu pjesëmarrës në 15 vjetorin e Kosovës, shteti i lirë është amaneti amaneti dhe trashëgimia që na ka lënë Rugova dhe Adem Jashari. 15 vite kemi parë rritjen dhe lindjen e shtetit të Kosovës, rrugëtimi jonë është përpara rrugëtimit euroatlantik”, ka thënë Begaj.
Për shënimin e 15 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, Qeveria e Kosovës ka organizuar një sërë aktivitetesh.
Pas mbledhjes festive të Qeverisë, është bërë ngritja solemne e Flamurit të Republikës së Kosovës.