Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj në fjalimin e tij në seancën solemne për nder të 15-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës ka thënë se kjo datë është ditë krenarie për të gjithë pasi kujton forcën e qëndresës së popullit shqiptar.
“Jam i kënaqur që jam këtu në këtë ditë të shënuar për Kosovën, Shqipërinë, kombin shqiptar. Për Pavarësinë e Kosovës që ka kontribuar për paqen në rajon. Pavarësia e Republikës së Kosovës na kujton forcën e qëndresës së popullit shqiptar, është ditë krenarie për ne të gjithë”, ka deklaruar Begaj.
Në fjalimin e tij, Begaj ka përmendur sakrificën e komandantit legjendar, Adem Jashari, të UÇK-së dhe simbolin e lirisë, ish-presidentin Ibrahim Rugova.
Po ashtu ai ka nderuar edhe të gjithë ata që dhanë jetën e tyre për liri.
“Gjithashtu u jemi falënderues shteteve mike që njohën pavarësinë e Kosovës. Në këtë ditë, kujtojmë Adem Jasharin, UÇK-në, të gjithë ata që u flijuan për liri. Kujtojmë simbolin e lirisë, elekouencës, që qoi përpara kauzën e pavarësisë së Kosovës, ruajti paqen në kohë të shpërbërjes, kujtojmë Rugovën si simbol i paqes në Ballkan e Evropë”, ka vijuar Begaj.
Ndër të tjera, Begaj ka thënë se kjo ditë është fillimi i forcimit të shtetit të së drejtës teksa ka përmendur edhe mbledhjet e përbashkëta të qeverive duke theksuar se Shqipëria është mbështese e integrimit euroatlantik të Kosovës.
“Kam pritur me entuziazëm lajmin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE. Angazhimi i BE-së dhe ShBA-së dhe të dërguarve të posaçëm është shprehje e qartë se sa janë të angazhuar për dialogun Kosovë-Serbi, ne jemi shembull i qartë se distancat fizike nuk janë as kriter as pengesë”.