Fillimi i Fundit

“Kur jemi ngritë në mëngjes prej konvikteve ka qenë me tenka, me aeroplana, me kanë e kanë parë në rrugë e kanë gju. Serbia me të gjitha mjetet ka luftu, data 2 nuk ka qenë prostestë por luftë”, ka thënë Murat Musliu, Organizator i demostratave të 81-s.

“Këtu filluan të gjitha lëvizjet për shkatërrimin e Jugosllavisë atë kohë, këtu kanë filluar”, ka theksuar Enver Tahiri, Minator i Trepçës.

“Kërkesat i kishin në një letër, kërkesa ishte ajo për dorëheqjen e tre ish-funksionarëve të atëherëshëm. Bëhej fjalë për Samedin Azemin, për Ali Shukriun dhe për Rrahman Morinën…”, ka deklaruar Sebiha Ramaxhiku, Gazetare.

“Më tha Sasdik Zuka sot ose tradhëtar ose kombëtar. Ajo ka qenë një shenjë se një ditë Kosova do të fitojë edhe unë mendoj se prej atyhit, ka fillu më edhe shkatërrimi i Serbisë, atë ditë që është marrë më dhunë sepse çdo që merret me dhunë nuk mund të mbahet”, ka shtuar Sadik Zuka, Delagat i Kuvendit të 89-s.

“Demonstrat të përgjakshme, sepse filluan duke u ashpërsuar, filluan të vriteshin njerëzit rrugëve….”, ka theksuar Halil Matoshi, Gazetar.

Dekada e parafundit e shekullit të kaluar, shkundi themelet e “dinosaurit” që mbante në gji gjashtë republika, e të shtatën nuk e donte as si republikë e as me shqiptarët.

Periudha 81-89 shënon vitet e fillimit të përpjekjes mbinjerëzore për ruajtjen e autonomisë së Kosovës brenda Jugosllavisë, përpjekje që u shua me dhunë e gjak.

Vdekja e liderit jugosllav, Josip Broz Tito në fillim të 80-s shënon përfundimin e një epoke në Jugosllavi e posaqërisht në Kosovë. 26 vjet pushtet të “Shoku-t” Tito siç njihej atë kohë, ishin periudhë me shumë pak reforma, shumë pak liri, e shumë pak institucione për Kosovën specifikisht për shqiptarët.

Ajo çfarë gëzonin shqiptarët e Kosovës deri ne vitin 1974, nuk ishte as autonomi kulturore.

Ndërkohë, një ndryshim ndodhi në këtë vit. Amandamentimi i kushtetutës së 74-s, Kosovën e bëri njësi të barabartë të përfaqësimit në federatë, por vetëm në letër. Me vdekjen e kryetarit të përjetshëm të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, nacionalizimi edhe ashtu i egër, doli në skenë.

Pakënaqësia ndaj pushtetit nacionalist serb përfshiu të gjitha shtresat e popullsisë. Në Federatën jugosllave Kosova mbeti rajoni më i prapambetur. Shpërthimi ishte vetëm çështje kohe. Një gjë e tillë ndodhi këtu në dhomën numër 3 në konviktin numër 310. Për të trasuar rrugën e rezistencës, më 10 mars u mblodhën Murat Musliu, Gani Koci, Ramadan Gashi, Ahmet Tahiri, Jonuz Jonuzi, Kadri Kryeziu, Ramadan Gashi e Bedri Deliu.

“E kemi ndërprerë ushqimin e kemi dalë para studentave, diku grupi 200-300 studenta kemi qenë, sepse njerëzit nuk kanë qenë të informuar çka po ndodhë. Kemi fillu nëpër qytet me dalë, qëllimi jonë ka qenë sheshi ku është sot nënë tereza”, ka deklaruar Murat Musliu, Organizator i demostratave të 81-s.

Atë ditë në kryeqendër luhej ndeshja Prishtina-Partizani i Beogradit, prandaj brutaliteti policor u shtye për disa orë.

“Kemi kaluar një herë me parulla, duam kushte, duam bukë. Kanë filluar politike pastaj: poshtë borxhezija, lironi shokët nga burgut, ka qenë puna të lirohet Adem Demaçi, aty këtu ndonjë parullë ka mund me qenë Enver Hoxha që i kanë parandalu njerëzit ato”, ka shtuar Murat Musliu, Organizator i demostratave të 81-s.

Mobilizimi sa shkonte e rritej, Musliu me shokë kthehej në konviktet e studentëve për t’masovizuar demonstratën. Veprime që ranë në sy të policisë. Protestuesit u bllokuan këtu, tek semaforat e menzës, në udhëkryq.

“Deri në mëngjes kemi qëndru, në mëngjes ka intervenu policia, me gaz-lotsjellës na kanë shpërndar nëpër konvikte edhe atë ditë ka marrë fund ajo me qaq”, ka thënë

Murat Musliu, Organizator i demostratave të 81-s. Por, dorëzimi për studentët shqiptarë nuk ishte opsion.  Për rreth dy javë organizatorët e demonstratës kaluan në fshehje nga spiunët e UDB-së, e shërbimi shtetëror.

Më 25 mars, pasoi demonstrata e dytë.

“Kërkesat që kanë qenë tipike politike: pse Kosovë nuk është Republikë, pse nuk jemi të barabartë në Jugosllavi, pse Trepçën nuk e menaxhojmë ne, ka qenë ajo parulla Trepça punon Beogradi ndërton”, ka theksuar Murat Musliu, Organizator i demostratave të 81-s.
Edhe demonstrate e dytë u shpartallua.

“Kemi fillu për qytet prap nën menzë na kanë blloku me mjete më të rënda, me gaz-sjellës, me policë, edhe atë ditë kanë ardhë njësia speciale nga Nishi, kanë hyrë nëpr konvikte, përveç në konfiktin tre që nuk kanë mund me hy. Kanë përdorë dhunën më shtazarake që e sheh dikun”, ka shtuar Murat Musliu, Organizator i demostratave të 81-s.

Por, as ndërhyrja e këtyre njësive speciale nuk thej idealin e studentëve shqiptarë. Ata morë zemër e fuqi me 1 prill të 81’tës, atëherë kur populli u zgjua nga gjumi, e nisi të ecë në këmbët e veta.

Mijëra punëtorë, qytetarë e fshatarë u dyndën në qendrat e qyteteve. Edhe atë ditë protestuest u shpërndanë me gaz lotsjellës.

Të nesërmen, më 2 prill 1981, armata jugosllave zbarkoi në Prishtinë.

“Kur jemi ngritë në mëngjes prej konvikteve ka qenë me tenka, me aeroplana, me kanë e kanë parë në rrugë e kanë gju. Serbia me të gjitha mjetet ka luftu, data 2 nuk ka qenë prostestë por luftë”, ka rrëfyer Murat Musliu, Organizator i demostratave të 81-s. Në Ferizaj, Mitrovicë, Podujevë, gjithku nisi dhuna, protestuesit ishin të vendosur, ose të drejtat ose vdekjen. 9 shqiptarë u vranë, 15 u plagosën rëndë, qindra u arrestuan, e shumë u dënuan.

“Neve grupin e studentëve 22 studentë jemi dënuar prej 6-15 vjet burgim. Për regurzimin e demonstratave në të gjithë Kosovën. Edhe pse në të gjithë Kosovën nuk i kemi organizuar, por në Prishtinë po…Edhe pasi na kanë dënuar na kanë qu në Serbi, nuk ka pasë ditë që nuk na kanë rrahur në Serbi”, ka sqaruar Murat Musliu, Organizator i demostratave të 81-s.

Aparati shtetëror nuk qëndroi duarkryq, burgosi ideologët e rezistencës e u përkujdes që të e fikë flakadanin e lirisë. Pas dy muajsh në Kosovë u vendos “Gjendja e jashtëzakonshme” e më vonë edhe shtetrrethimi.

Nacionalizmi serb kurorën e vendosi me ardhjen e Slobodan Milosheviq në pushtet. Një vit më vonë, Millosheviqi zgjidhet kryetar i Lidhjes së komunistëve të Beogradit. Në maj të 86-s, zapton edhe kreun e Kryesisë së Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste të Serbisë. Me Millosheviqin në pushtet, më 1988, nisën diskutimet për ndryshime kushtetuese për heqjen e autonomisë.

Në këto rrethana rezistenca ndaj shovenizmit serb, nga konviktet e studentëve u bartë diku tjetër.

Në thellësinë e pasur të Trepçës, në zemër të Shalës së Bajagorës, 1,300 minatorë u futën në grevë. Miniera që siguronte bukën e popullit, tash kërkonte ta ruajë egzistencën politike, autonominë e Kosovës.

“Kanë hyrë në minierë ndrrimi i parë, kur ka ardhë ndrrimi i dytë ndrrimi i parë ishin me numër rreth 300-400-700 veta. Janë bashkangjith ndrrimi i dytë, janë bashkëngjithë edhe ndërrimi i tretë edhe kur kanë ardhë edhe ndërrimi që ishte në pushim janë nguju në horizontet 8-9-10”, ka deklaruar Enver Tahiri, Minator i Trepçës.

Bashkë me minatorin Enver Tahiri, në minierën e Trepçës qëndronte edhe gazetarja, Sebiha Ramaxhiku. Në përvojën disa dekadëshe të saj, këtë ngjarje Ramaxhiku e cilëson dhe e kujton si kulminante.

Ajo ishte e para që kishte në duar kërkesat e minatorëve.

“Kërkesat i kishin në një letër, kërkesa ishte ajo për dorëheqjen e tre ish-funksionarëve të atëherëshëm. Bëhej fjalë për Samedin Azemin, për Ali Shukriun dhe për Rrahman Morinën….Kthehem në Mitrovicë, ata pas meje vijnë, unë hyjë në radio e jap lajmin, dhe më pas ju shpërndaj atë letër”, ka treguar Sebiha Ramaxhiku, Gazetare.

Përgjatë tetë ditëve sa qëndruan në grevë, Ramaxhiku kujton se për minatorët kishte përkrahje të jashtëzakonshme.

“Mua më kujtohet sa isha në minierë qyetarët sillnin, ushqim. Nuk është e tepërt të them që e kam parë edhe lopën  e gjallë e kanë sjellë aty vetëm e vetëm që të mos hjekin minatorët….Flas edhe Aziz Abrashin, flas prë Burhan Kavajën të cilët kanë qenë me miniatorët të gjithë kohën në mbështetje të tyre… Shprehej mbështetja edhe me protesta, por edhe me telegrame të numërta që vinini në minierën e Stanërgut e në meisn e telegramave të para ka qenë ajo e Bekim Fehmiut që i kishte dhënë mbështetje të plotë minatorëve”, ka deklaruar Sebiha Ramaxhiku, Gazetare.

Në nën-tokën e Trepçës, minatorët mbaheshin për njëri tjetrin. Enver Tahiri thotë se ishin të vetëdijshëm se e dridhën Jugosllavinë, por që krahas kësaj duhej t’i kalohenin ndasitë.
“Ka pasur familje të hasmuara që kanë qenë në gjakë me njëra tjetrën edhe tash i ka komentu dikush qyre kjo familje është në gjak me këtë familje ka thanë këtu të qoftë falë gjaku i filanit edhe prej atyhit është vazhdu. Kanë qenë 2-3 raste kur jashtë kanë qenë familje në gjak kur e nijshin çka po bëhet brenda e kanë vazhdu me faljen e gjakut”, ka rrëfyer Enver Tahiri, Minator i Trepçës.

Pas tetë ditëve minatorët menduan se e arritën qëllimin, por u mashtruan.

“Pas tetë ditëve na e sollën me shkrim se gjoja ka dhënë dorëheqje, Rrahman Morina, Ali Shukriu, Hysamendin Azemi. Me shkrim se ne e kemi pasë kërkesën që dorëheqjet me i pa me shkrim, Këshilli Organizativ. Është e vërtetë që u publiku që u dhanë dorëhejet. Faktikisht ajo ishte veç në opinion po su kanë e vërtet. Kemi dalur kemi fillu me dalë nga miniera”, ka shtuar Enver Tahiri, Minator i Trepçës.

Minatorët përsëri u barrikaduan por u shpartalluan nga qindra policë të njësive speciale të Jugosllavisë. Tahiri u largua nga puna, për çka e la pagën e minatori e shkoi në Sarajevë. Gjithë ditën qante dru me sopatë, e fitonte para sa për të blerë një bukë në ditë, për gruan e fëmijët. Pa punë mbeti edhe ajo që kërkesat e minatorëve ia përcjellte në vesh popullit, e atyre që nuk donin t’i dëgjonin.

“Pastaj pasoi edhe ai diferencimi e kanë pasur një fjali, thonin kështu “e papërshtatshme ne aspektin moralo-politik”, nuk je e përshtatshme të punosh si gazetare”, ka treguar Sebiha Ramaxhiku, Gazetare.

Trepça u vendos nën masa të dhunshme me menaxhment serb, e nisi diferencimi i shqiptarëve.

Minatorët ishin barrikada e fundit e Millosheviqit, që tash kishte arritur në cak. Më 23 mars 1989, mblodhi delegatët e qëllim kishin heqjen e autonomisë së Kosovës. Sikurse në 81-shin, tanke helikopterë e aeroplanë zbarkuan në Prishtinë. Fusha e betejës prap nuk u braktis, kësaj radhe barrën e mbante delegati nga Vitia, Sadik Zuka. Ai e kishte ndarë mendjen, dorën si deputetë nuk do ta ngrisë përpos për votën Kosova Republikë.

“Kam mendu se aty përreth atyre forcave që u paralajmëruan që edhe tanket ishin para disa dite, mendova se ndoshta edhe me e dhanë jetën kam dashtë me marr, revolen me veti. Por jam kujtu prap nuk e kam marrë sepse mendojsha na kontrollojnë, nuk mundem me hy në Kuvend mbetem pa folë”, ka thënë Sadik Zuka, Delagat i Kuvendit të 89-s.

Në foltoren ku edhe sot deputetët mbajnë fjalën, Zuka i dha goditje regjimit shtypës.

“Unë ju thash unë jam prej bazës, baza ka thënë mos me e votu, sepse me këtë humb autonomia e Kosovës. Thash neni 47 nuk ka qenë në diskutim publik se ai ka qenë vendimtar. Sepse neni 47 ka qenë themel i Kushtetutës sepse neve me këtë nen “pëlqimin” që e ka pasur Kosova pa pëlqimin e Kosovës as ushtria e Kosovës nuk ka mund me hy në Kosovë, pa ia dhënë Kuvendi i Kosovës. E ata e kanë ndërruar mendim e kanë bërë, pra jo pëlqim po mendim”, ka shtuar Sadik Zuka, Delagat i Kuvendit të 89-s.

Sadik Zuka nuk u ndal me kaq, kërkoi edhe shkarkimin e Slobodan Milosheviqit. Pas fjalimieve, erdhi momenti i së vërtetës. Bashkë me Ejup Qorrin, autonomisë së Kosovës në mbrojtje i dolën, Esat Shabani, Riza Lluka, Melihate Tërmkolli, Avdi Berisha, Barjm Buçani, Ukë Bytyçi, Remzi Hasani dhe Menduh Shoshi.

“Aparati shtetëror e arriti me tenka me sigurime me helikoptera mbi kry, me aeroplanë, edhe u arritë ajo çka u bë. Kemi dalur jashtë, jam taku aty me do shok…”, ka deklaruar tutje Sadik Zuka, Delagat i Kuvendit të 89-s.

Prishtina ishte në shtet-rrethim, aparati shtetëror nisi shtypjen e atyre që jashtë Kuvendit ndanin mendimin me dhjetë delegatët e rezistencës. Aty ishte edhe Halil Matoshi, atë botë gazetar i gazetës “Zëri”. Ai edhe sot e mabn në mend fije për pe, terrorin që regjimi i Millosheviqit ushtrojë atë ditë në Prishtinë.

“Demonstrat të përgjakshme, sepse filluan duke u ashpërsuar, filluan të vriteshin njerëzit rrugëve. Prej atje ku i themi te Xhamia e Llapit e deri tek fakulteti Filozofik kjo pjesa e kësaja rrugës kryesore, të Prishtinës ka qenë përplot demonstrues…Pankartat kanë qenë kryesisht “stop dhunës”, jo Jugosllavisë, jo Serbisë, posht eksploatimi, posht dhuna”, ka theksuar Halil Matoshi, Gazetar.

Vetëm në datat  27-28 mars, brenda 24 orëve u vranë 25 shqiptarë, u plagosën mbi 600 e u arrestuan qindra të tjerë.

“Kam qenë me një grup të kolegëve kur një shoku im Hysen Gashi është plagosur atëherë, pastaj kanë gjuajtë me plumba gome fillimisht, dhe po janë vra vazhdimisht nga dy tre në secilën protestë, prostesta të mëdhaja ka pasur këtu tek gjykata, janë vra 2-3, një Bedri Sokoli është vra atje afër hekurudhës”, ka shtuar Halil Matoshi, Gazetar.

Populli shqiptar në Kosovë rrihej e vritej, në vazhdimësi. Por, situata u përshkallëzua edhe më shumë pak kohë pas suprimitit të autonomisë kur në 600 vjetorin e Betejës së Kosovës, në Gazimestan afër Prishtisën, erdhi kryeinxhinjeri i veprimeve antishqiptare, Sllobodan Millosheviq. Ai mbajti një fjalim, që shërbeu si inspirim për serbët që të vepronin kundër shqiptarëve.

“Përsëri jemi para betejave dhe në beteja. Ato nuk janë të armatosura, mirëpo as ato nuk janë të përjashtuara”.

Kjo ishte fjalia që ndezi turmën e cila verbërisht i shkoi prapa Millosheviqit deri në shkatërrimin e Jugosllavisë.

Shija e redaktorit

“Dukagjini” do të promovojë në Tiranë librin “Ciceroni shqiptar i...

Panairi i 27-të i Librit në Tiranë po afrohet. Ashtu si çdo vit tjetër, do të marrë pjesë edhe shtëpia botuese “Dukagjini”, e cila...

“Dukagjini” do të promovojë serinë e lektyrave shkollore në Tiranë

Për të gjithë ju, mësimdhënës, pedagogë, prindër, fëmijë; lexues të letërsisë për fëmijë, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar që më datën 16 nëntor, ditën...

Votohet buxheti për vitin 2025

Me pesë vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Komisioni parlamentar për Buxhet, Punë dhe Transfere ka votuar buxhetin për vitin 2025. Buxheti prej 3.6...

Të fundit nga rubrika