Konferenca e Rambujesë, moment kthese për Kosovën

Konferenca e Rambujesë përbën një ndër ngjarjet kyçe të rrugëtimit të Kosovës drejt lirisë. Persona me ndikim në këtë ngjarje kanë rrëfyer më shumë për televizionin Dukagjini

Ëndrra e kamotshme e shqiptarëve të Kosovës për liri mori vulën e rrugës së pa kthim në një fshat të vogël të Shtimes 24 vjet më parë.

Në Reçak, 15 janarin e hershëm të 1999-ës u dëgjuan krismat e para të armëve.

Forcat serbe u futën në fshat dhe për disa orë vranë mizorisht dhe masakruan 45 civilë shqiptarë.

Trupat e tyre mbetën në luginën e fshatit deri më 16 shkurt, pamje këto që tronditën botën demokratike.

Mëngjesin e asaj dite në Reçak shkoi shefi i atëhershëm i OSBE-së, William Walker.

Amerikani derisa ecte përbri luginës ku ishte kryer kjo mizori, u trondit nga barbaria që pa me sy.

Tronditja e vërehej qartë në fytyrën e Walker kur bëhej gati t’i drejtohej botës dhe ngjarjen ta quante masakër dhe gjënë më mizore që kishte parë në jetën e tij.

 Pikërisht ishte Masakra e Reçakut e cila alarmoi botën dhe që rrjedhës së ngjarjeve në Kosovë që po luftonte për liri, i dha një kahje tjetër.

Ajo ndikoi jashtëzakonisht shumë në përcaktimit të fatit të Kosovës duke përshpejtuar mbajtjen e Konferencën e Rambujesë.

Ngjarje kjo që ndodhi nga 6 deri me 23 shkurt 1999, e cila solli më pas bombardimet e NATO-s kundër ushtrisë serbe dhe çlirimin e Kosovës.

Por, përgatitjet për organizimin e një ngjarje të tillë kishin filluar disa muaj më herët.

Gjithçka po ndodhte nën insistimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në kulmin e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër forcave serbe, ishte vet ShBA-ja që vendosi ta “prek” nga afër UÇK-në.

Për këtë, diplomati amerikan i asaj kohe, Richard Hoolbroke erdhi në Junik dhe takoi pjesëtarë e guerilës më të suksesshme që njeh historia.

Vizita e tij ishte një shenjë e qartë e njohjes së fuqisë në rritje në rritje të UÇK-së, që pos fuqisë ushtarake po fitonte përkrahje masive në popull.

Më pas u formua Grupi i Kontaktit i përbërë nga SHBA-ja, Britania e Madhe, Gjermania, Italia, Franca dhe Rusia.

Një treshe nga këto shtete udhëtoi mesin e 98-së në Kosovë dhe takoi disa nga krerët e UÇK-së, ndër ta edhe Ramë Bujën.

Por, biseda nuk ishte e lehtë.

Ramë Buja, ish-anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së ka thënë se “U takuam me të në Kleçkë bashkë me Jakupin, Fatmir Limajn dhe aty na sfiduan bukur shumë, na thanë se ju s’keni forcë, s’jeni forcë që mund t’i përballoni Serbisë dhe ne reaguam relativisht ashpër. Bile Jakupi iu tha a ka mundësi ju dhe Serbia të na ndaloni të vdesim për liri?  Ata u ndjenë ngusht pastaj dhe e ndërruan kursin e bisedimeve dhe thanë shikoni nuk jemi ardhur që të ju provokojmë dhe ngarkojmë por kemi ardhur që të bisedojmë për çështje tjera më serioze. Atëherë u shtrua biseda dhe na thanë, atëherë na përmenden, ka qenë korriku i 98-së, na thanë që kemi ardhur që të ju pyesim a jeni të gatshëm të merrni pjesë në një konferencë ndërkombëtare që do të organizohet për Kosovën dikund”.

 Tutje, ndërkombëtarët vazhduan insistimet që të krijohej delegacioni i përbashkët i të gjitha forcave politike në Kosovë dhe UÇK-së.

Ai u krijua shpejtë me në krye Hashim Thaçin nga UÇK-ja, Ibrahim Rugovën nga LDK-ja, Rexhep Qosjen nga LBD-ja, Bajram Kosumin nga Partia Parlamentare, dhe Veton Surroin nga shoqëria civile.

Gjuha e përbashkët u gjet, por sfidë në vete përbënte udhëtimi drejt Rambujesë përmes Aeroportit të Prishtinës, në kohën kur lufta ishte në kulmin e saj.

Ramë Buja ka thënë se “Tham që ne duam të shkojmë me armë në Rambuje. Është e pamundur, mos më thuani këtë se nuk mund ta bëjë dhe kur ne nuk e kemi ndërmend të bëjmë luftë në Aeroportin e Prishtinës por e kemi një qëllim tjetër. Ata mund të insistojnë të na marrin në aeroport dhe ne nuk duam të bëhemi poçavër. E vetmja që mund të bëjmë me ato armë që marrim është që të vrasim veten që të mos komprometohemi. Miku ynë tha që po, mund ta realizoni këtë gjë dhe kështu kemi shkuar”.

Udhëtimi u krye pa ndonjë problem dhe me të mbërritur armët u dorëzuan.

6 shkurti shënonte fillimin e konferencës për organizimin e së cilës kishin punuar shumë diplomati amerikan Christopher Hill, bashkë me përfaqësuesin e BE-së, Wolfgang Petritsch dhe ai i Rusisë, Boris Majorski.

Por delegacioni kundërshtoi draftin prej 10 pikave që i ishte dorëzuar para udhëtimit në Ramubuje, duke e konsideruar tërë përmbajtjen të papranueshme.

 Palët vazhduan punën për disa orë, por sipas Bujës, drafti i ri u shkoi gati i pandryshuar nga i pari.

Ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së ka shtuar se “Aty shefi i delegacionit që ishte Hashim Thaçi reagoi me ashpërsi me të drejtë dhe reaguam edhe ne të tjerët të ishim të UÇK-së që nuk guxonim ta nënshkruanim në asnjë mënyrë. Kërkuam që të na lejohet një dy javësh mundësi për t’u kthyer në Kosovë, për t’i konsultuar ata njerëz që ishin në istikame, komandantët e zonave dhe të tjerë që kur ta nënshkruanim ose mos ta nënshkruanim, të kishim arsyen e plotë pse po e bëjmë”.

Por, këtu sipas Bujës, lindën mospajtimet e para ndërmjet anëtarëve të delegacionit shqiptar.

Buja ka theksuar se “Në fakt tensionet nisën atëherë kur ne thamë që nuk do ta nënshkruajmë me këtë përbërje të draftit, ndërsa i ndjeri Ibrahim Rugova kishte gatishmëri që e shfaqte njëfarë forme se do ta nënshkruante dhe këtu u ndezën shkëndijat e mosmarrëveshjes”.

 Por, Rugova në sytë e bashkëpunëtorëve të tyre kishte të drejtë në insistimin për nënshkrimin e marrëveshjes.

 Muhamet Hamiti, ish-bashkëpunëtor i Rugovës ka thënë se “Tensione ka pasur sigurisht për arsye se njerëz të ndryshëm, me formime të ndryshme dhe të krahëve të ndryshëm, ushtarak ose më militant. Një pjesë e tyre nuk e ka besuar që do të ndodhte intervenimi. Rugova e ka besuar se do të ndodhte dhe prandaj ka qenë për pranimin e kësaj marrëveshjeje që po them prap, nëse lexohet e ndarë nga konteksti historik për dikë mund të dukej e papërshtatshme. Mirëpo, Rugova e dinte se Kosova do të bëhet hap përpara dhe e bëri”.

Milazim Krasniqi, ish-bashkëpunëtor i Rugovës ka thënë se “Fati jonë i madh ka qenë që në atë konferencë ka shkuar megjithatë unik, ka shkuar me tri grupe, por që kanë qenë unike. Vizioni i Rugovës ka qenë i tillë që ka lëshuar pe edhe pse ka qenë president i zgjedhur, ka dhënë hapësirë dhe përparësi që të jetë lider i grupit një përfaqësues i UÇK-së dhe kjo ka qenë padyshim e rëndësishme për ta faktorizuar edhe UÇK-në dhe për ta rehabilituar në sytë e opinionit ndërkombëtar”.

Pas hezitimit të shqiptarëve, Buja kujton ish-sekretaren amerikane Madeleine Albright të këtë ardhur në Kështjellën e Ramubjesë me kërkesën për nënshkrimin e marrëveshjes.

Por, delegacioni kishte bindur atë që t’u jepte kohë.

Drafti konsiderohej i rrezikshme, pasi sipas delegacionit, përmes tij, Kosova mbetej akoma pjesë e Serbisë, nuk ishte avancim të të drejtave, dhe parashihej të vendoseshin rreth 2 mijë forca serbe.

Tensionet ishin shfaqur edhe kur Rugova, sipas pjesëmarrësve, refuzoi të paraqiste emrat e ministrave të tij që do të ishin pjesë e një qeverie teknike e cila kërkohej nga amerikanët.

Delegacioni shqiptar kthehet në Rambuje pas gati tri javësh i unifikuar për dallim nga hera e parë, derisa kishte nuhatur se Serbia do ta refuzonte marrëveshjen. Andaj, vendosi që të nënshkruante at137.

 Ramë Buja ka potencuar se “…një rast e kujtoj kur ka dalë Boris Majorski nga salla e tyre dhe e ka gjuajtur aq shumë derën e hyrjes së delegacionit sa që kemi qenë përballë me Jakupin dhe unë kam bërë shaka, thash Jakup është mirë puna, tha pse? Thash po Majorski sa se theu derën e delegacionit, diçka që nuk është mirë me ta, besoj që është mirë me neve. Gjë që ndodhi pastaj sepse ata nuk pranuan të nënshkruanin dhe ishte fat i madh sepse do të kishim pasur telashe të mëdha”.

 Vënja e nënshkrimeve nga shqiptarët më 23 shkurt dhe refuzimi i serbëve që ta bëjnë një gjë të tillë, përbën momentin kulmor i cili do të ndryshonte përfundimisht historinë e Kosovës.

Kjo solli me 24 mars nisjen bombardimet e NATO-s mbi caqet ushtarake serbe në Kosovë dhe Serbi të cilat zgjatën për plot 78 ditë.

Për realizimin e suksesshëm bombardimeve nga ajri në Kosovë nevojiteshin informacione të sakta nga terreni.

 Një gjë e tillë nuk mund të bëhej pa njerëzit e Ushtirës Clirimtare të Kosovës.

Mbase njeriu kryesor në Kosovë që po mbante kontaktin me NATO-n, ishte komandanti i përgjithshëm atëherë i UÇK-së, Agim Çeku.

Agim Çeku, ish-komandant i Përgjithshëm i UÇK-së ka thënë se “Komandantët e zonave, njësive dërgojshin në shtab te unë ne dhe i dërgojshim fillimisht pikat e ndryshme në Shqipëri dhe në Maqedoni, ku kanë qenë shefat e zyreve, kanë qenë pika referimi sepse ata e kanë përcjellë komandën e NATO-s. Më vonë me telefon satelitor, me faks i kemi dërguar me koordinata të sakta caqet serbe i kemi dërguar në shtabin e NATO-s në Kumanovë. Kam pas telefonata me gjeneralin Clark dhe gjithmonë ai ka qenë inkurajues që të qëndrojmë, t’i ruajmë pozicionet, ta ruajmë substancën e UÇK-së”.

 Pas bashkëpunimit të jashtëzakonshëm me UÇK-në, NATO përmbylli fushatën ajrore dhe më 12 qershor 1999 futi trupat e para tokësore në Kosovë.

Ky moment shënon çlirimin përfundimtar dhe nisjen e kthimit të afro 1 milion shqiptarëve që ishin dëbuar dhunshëm nga shtëpitë e tyre.

 

 

 

Shija e redaktorit

VV e PDK lëshojnë sallën, dështon votimi i buxhetit të...

Asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) kanë braktisur mbledhjen e Kuvendit të Komunës së Prishtinës, e cila kishte si...

Boksieri shqiptar Roberto Bakaj fiton meçin me nokaut

Roberto Bakaj ka shënuar fitore në meçin e zhvilluar në Harrow Leisure Center. Bakaj ashtu si vëllai i tij arriti ta nokautoj kundërshtarin, Shaban Hamadi...

Amarildo Bakaj fiton meçin me nokaut

Amarildo Bakaj ka shënuar një tjetër fitore në boksin profesionist. 25-vjeçari arriti fitore ndaj kundërshtarit, Mawuli Folivi në meçin e zhvilluar në Harros Leisure Center. Bakaj...

Të fundit nga rubrika