Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar se 15-vjetorin e pavarësisë së vendit e kanë filluar me mbledhje festive të Qeverisë, sepse sipas tij “puna dhe festa për Republikën tonë duhet të shkojnë gjithmonë bashkë”.
Kryeministri Kurti ka thënë se pas mbledhjes festive të Qeverisë kanë vazhduar me homazhe dhe nderime në Prishtinë e në Prekaz.
“Nderuam kujtimin e 1133 fëmijëve të vrarë gjatë luftës, sepse na mungojnë shumë dhe nuk i harrojmë kurrë. U takuam në mes vete e mirëpritëm përfaqësues të shteteve mike në Kuvend, sepse aty u shpall dhe aty duhet ta ruajmë Republikën”, ka shtuar tutje kryeministri Kurti.
I pari i ekzekutivit ka theksuar se kanë parë dhe parakalimin e trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës.
“Gëzuar të gjithëve 17 Shkurti dhe urime 15-vjetori i Pavarësisë së Kosovës! Sot, nesër, përjetë”, ka shtuar tutje kryeministri i vendit, Albin Kurti.