Adem Demaçi, revolucionari i papërmirësueshëm

“Parulla e parë, e shkurt e saktë “Duam Liri”, kaq. parulla e dytë “Rrnoftë Shqipëria” unë nuk e kam ditë pse duhet me rrnu Shqipnia, po ata Adem Demaçi e kanë ditë…”, ka deklaruar Selatin Novosella, Shok i burgut me Demaçin.

“Kur më thua kush janë nxënësit e Demaçit, mua më duket tre: Adem Jashari…Fehmi Lladrovci..Edhe personi i tretë është vet Kryeministri i tanishëm i Kosovës…”, ka thënë Shkëlzen Gashi, Publicist.

“…Asnjë mundësi për një zgjidhje politike për çështjen e Kosovës nuk ka me regjimin e Millosheviqit”, ka theksuar Azem Vllasi, Ish-politikan.

“Ti sfarrni Adem Demaçi, a je ti Adem Demaçi i vërtetë ky thotë, po ku po shkon, po shkon ku e kam vendin të UÇK-ja…I thotë nëse unë jam pa ushtri çka rrotën e samës po digjeni ju në diell e po rrini këtu po vramni..”, ka shtuar Selatin Novosella, Shok i burgut me Demaçin.

“Isha djali i vogël i nanës Nazife të cilin ajo e rriti me thoj e me dhëmbë, e rriti e ngriti edhe kur ishte puna për Atdheun tha shko djal, Nana Nazife një ditë do të vdes Nëna Shqipëri do të jetojë gjithmonë”, ka thënë Adem Demaçi.

Ademi i donte dy nënat. Nanën Shqipni edhe nanën Nazife. Për nanë Shqipninë mbajti mbi 10 mijë ditë burg, ndërkaq për nanën Nazife i la studimet e u kthye në shtëpi.

Nëna e motra Ajshja mbetën veç me Ademin.  Babai Zeqiri vdiq kur ishte 8 vjeç, ndërsa vëllai Maliqi pesë vjet më vonë, për ta lënë Ademin zot shtëpije.

Fëmijëri e vështirë, e varfëri në familje por që nuk e penguan t’i rreket dijes. Shkollimin fillor e të mesëm në Prishtinë, ndërkaq në Beograd për pesë semetre studioi letërsi botërore.

Për shkak të sëmundjes së nënës Nazife, Demaçi ndërprenë rrugëtimin në Universitetin e Bogradit. Në kryqyqendrën e Jugosllavisë e ndëprenë praninë fizike por jo kritikën për robërinë ndaj popullit të tij.

Nis punën në gazetën “Rilindja” aty ku lind Ademi i Ri, autori i romanit të parë shqip, “Gjarprijt e Gjakut”. Në Prishtinë qëndron vetëm tri vite e përsëri ri-kthehet në Beograd, kësaj here jo si student por i burgosur.

Akuza: veprimtari armiqësore, kundër rregullimit shtetëror të Jugosllavisë dhe angazhim i drejtpërdrejt për shkëputjen e territorit të Kosovës dhe Bashkimin me Shqipërinë.”

Vitet 1958-1961, janë periudha e parë e 28 vjetve burgim sa do ti kalojë Demaçi në qelitë e Jugosllavisë.

Kur e quan në burg ishte i vetmuar, por tash kur doli, kishin dëgjuar për të e për disa ishte kthyer në inspirim. Por ende ishte herët për këtë pjesë, tash ishte koha për t’vepruar në terren.

Më 1963, Adem Demaçi vendos themelet e rezistencës, Lëvizjen Revulocionare për Bashkimin e Shqiptarëve.

Në statut kërkohej bashkimi me Shqipërinë, ndërkaq nëpër qytetet e Kosovës nisën aksionet për t’mobilizuar popullsinë.

“I kemi shkru dy parulla, unë e kam shkru, e ai shoku im në pikën më të lartë të shtyllës, se ishte termin 10:00-10:05 minuta të kryhet aksioni në krejt Kosovën. Na ishim shku në këmbë në Vushtrri, edhe ai e ngriti flamurin në orën 10 të natës edhe i binte drita aty, edhe ai shoku po e puthë flamurin”, ka thënë Selatin Novosella, Shok i burgut me Demaçin.

Selatin Novosella, ishte njeriu i terrenit, flamur në shtiza e parulla për Shqipninë ishin punët që i kryente, si pjesë e organizatës së Demaçit.

“Parulla e parë, e shkurt e saktë “Duam Liri”, kaq. parulla e dytë “Rrnoftë Shqipëria” unë nuk e kam ditë pse duhet me rrnu Shqipnia, po ata Adem Demaçi e kanë ditë që pa rrnu Shqipnia Kosova nuk jeton, duhet me rrnu Shqipnia”, ka theksuar Selatin Novosella, Shok i burgut me Demaçin.

Flamur kombëtar nëpër sheshe, parulla “Duam Liri”, e “Rrnoftë Shqipëria”, nuk u pritën mirë nga regjimi.

Më 8 qershor 1964 arrestohen mbi 300 veprimtarë të LRBSH-së. Po atë vit Demaç dënohet për herë të dytë me burg, tash 15 vjet.

“Gjykatëse ka pyet çka do të thuash në fjalën e fundit, akuzën e ka pasur për pushkatim. Për pushkatim ka qenë. Thotë unë po e them edhe një herë, e kam thënë e dhe në gjykimin e parë në vitin 1958, që Kosova dhe të gjitha viset e okupuar prej Jugosllavisë duhet të çlirohen, duhet të bashkohen me nanën Shqipni”, ka treguar tutje Selatin Novosella, Shok i burgut me Demaçin.

Me atë që e bashkonte ideali, tash Selatin Novosella do ta ndante qelinë e burgut.

“Shkolla e jetës ishte se duhet të tije se dikush duhej të binte në burg, dikush duhej të vepronte, dikush të sakrifikonte, ishte një shkollë ku mësoje çka do të bëje pas daljen nga burgu. E dalja pas burgut ishte me u organizu gjithmonë në formë ilegale”, ka shtuara Selatin Novosella, Shok i burgut me Demaçin.

Ashtu siç tregon Novosella edhe pas daljes së dytë nga burgur, Demaçi ishte bërë halë në sy për UDB-ashët.

Demaçi bëhet i padurueshëm. Tetor 1975, Demaçi përsëri dënohet me 15 vjet. Tash dërgohet në njërin nga burgjet ku vuan më së shumti, në Kroaci nuk kanë nejt në burg me to.

“Sulme kontra-revolucionare në rregullimin shtetëror e shoqëror dhe rrezikim i tërësisë territorial të vendit”. Kjo ishte akuza për të cilën Demaçi u riburgos për herë të tretë, për të dale përfundimisht në liri më 21 prill 1990.

Kohë kur aparati shtetëror serb kishte intesifikuar dhunën e persekutimin ndaj shqiptarëve në Kosovë.

Në një situatë të tillë, Demaçi zgjedh frontin e përbashkët, atyre që deri dje e kishin ndjekur rrugën e tij, iu bëri thirrje t’i bashkohen një force tjetër politike, Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ndonëse nuk përputheshin për nga mendimet, prijësi Ibrahim Rugova e mirëpriti Demaçin në liri.

“Gjatë gjithë kohës sa ti nuk ke qenë ksajde një karrikë ka qenë e zbrazët në Shoqatën e Shkrimtarëve të Kosovës….Ti gjithmonë me mendje, me zemër e me shpirt ke qenë me neve sot je edhe fizikisht”, ka deklaruar Selatin Novosella, Shok i burgut me Demaçin.

Edhe Demaçi  në raport me Rugovën, sipas Novosellës këtë kohë pajtoheshin se si duhet të silleshin në raport me Serbinë.

“Kundërshtari (Serbia) e ka topin, e ka tankstin, e ka aeroplanin e ka armatën më të fortë në Rajon, e pasha Bacin ne nuk i kemi asnjërën. Nuk bënë të bëjmë luftë, ne duhet ta bëjmë një luftë paqësore, por gjithmonë aktive…”, ka përfunduar Selatin Novosella, Shok i burgut me Demaçin.

Përpos vlerësimit në terren, në pjesën e parë të 90-s, Rugova e Demaçi pajtoheshin edhe për organizimin e rezistencës.

“Të dy janë pajtuar se duhet të homogjenizohen shqiptarët kundër okupimit të Serbisë, në krye me Sllbodan Millosheviqin edhe të dy janë pajtuar që nuk është në interesin e shqiptarëve që të nisin kryengritje të armatosur kundër okupimit serb”, ka deklaruar Shkëlzen Gashi, Publicist.

Megjithatë Shkëlzen Gashi, autor i librit ”Adem Demaçi, biografi e paautorizuar”, tregon se prap egzistonin disa dallime ndërmjet Rugovës e Demaçit.

“Ai ka qenë dakord që 90-95 lidershipi i Kosovës të bëjë politikë paqësore por ka qenë idhëtar i idesë që politika duhet të jetë aktive, pra nuk mjafton vetëm organizimi i sistemit paralel në fushën e arsimit, shëndetësisë të kulturës, sportit të politikës, por duhet rezistencë paqësore aktive…duhet protesta, duhet bllokim të rrugëve, dueht lirim i institucioneve publike që janë okuput prej Serbisë”, ka theksuar Shkëlzen Gashi, Publicist.

Dallimet u shtuan e hendeku mes tyre u thellua pas marrëveshjes së Dejtonit. Gjysma e dytë e dekadës së fund-shekullit, shënon periudhën kur Demaçi e Rugova i ndanë rrugët.

“Pas marrëveshjes së Dejtonit kur nuk përfshihet në këtë marrëveshje Kosova, Adem Demaçi, angazhohet në Partinë Parlamentare të Kosovës edhe premton se do të organizojnë rezistojnë protesta, do të organizojnë greva”, ka përfunduar Shkëlzen Gashi, Publicist.

Në llogoret e rezistencës tash ishin shtuar radhët e ishte ndërruar forma.  Rezistenca aktive të cilën aq shumë  Demaçi mori formë nën emblemën e ushtrisë për të cilën kishte shkruar në vitin 1963. Tash Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Ushtri e cila Demaçin e nderoi me postin e përfaqësuesit të përgjithshëm politik, me zyre në Prishtinë.

Për 6 muaj sa punoi në këtë zyrë, Demaçi kishte mbledhur shumë njerëz afër vetes, ndër ta edhe Azem Vllasin, si këshilltar të tij.

“Ai më thirr në një biesedë për të bashkëpunuar, më propozi që në kontakte me diplomatët e huaj dhe gazetarët e huaj jashtë Kosovës me të cilët unë kisha kontakte të mira, të angazhohem që të shpjegoj qëllimet dhe karekterin e luftës së UÇK-së”, ka deklaruar Azem Vllasi, ish-politikan.

Qëllimi i kësaj ftese ishte që lufta e drejtë e UÇK-së të njihet e tillë nëpër qendrat botërore.

“Për pesë muaj deri sa filluan bombardimet unë në ato kontakte ju shpjegoja gazetarëve dhe diplomatëve që kisha kontakt me ta se lufta çlirimtare e Kosovës faktikisht është një luftë mbrojtëse dhe çlirimtare dhe e detyrueshme sepse asnjë mundësi për një zgjidhje politike për çështjen e Kosovës nuk ka me regjimin e Millosheviqit”, ka thënë Azem Vllasi, ish-politikan.

Por Demaçi nuk qëndroi gjatë në këtë zyrë. “Përgjigjen definitive do ta japim në Paris”

Konferenca e Rambujesë ishte arsye e dorëheqjes, më saktësisht parimet e panegociueshme të cilat ishin vendosur për Kosovën në procesi negociator, para se të nisë konferenca e Rambujesë.

“Aty kanë qenë disa parime të panegociueshme ku e para ka thënë që garantohet integriteti dhe sovraniteti territorial i atëherë Republikës Feredale të Jugosllavisë. Kjo ka qenë pika kryesore pse Demaçi e ka kundërshtu Rambujen…Mandej siç e shohim edhe vet dokumentin që rezulton prej procesit negociator aty Kosova e fiton një autonomi shumë të gjerë në kuadër të Serbisë, nuk parashihet referendum pas tre viteve për Kosovën, edhe nuk përmendet askund UÇK-ja, ka qenë një ndër vërejtjet e Demaçit për dokumentin e Rambujeës, askund nuk përmendet lufta e popullit të Kosovës për çlirim, askund nuk përmendet okupimi gati 10 vjeçar 1989 kur suprimohet autonomia, parashihet mbetja e trupave ushtarako-policore serbe në territorin e Kosovës diku 2500 policë edhe 1500 ushtarë që jabë”, ka treguar Shkëlzen Gashi, Publicist.

Pas konferencës së Rambujesë pala serbe nuk pranon të nënshkruajë, vendim pas të cilit pasojnë bombardimet e NATO-s.

Bashkë me periudhën e pasluftës në liri, publicisti Shkëlzen Gashi thotë se Demaçi, u mor aktivisht me aktivizitëm për integrimin e komunitetit serbe. E më pas u vu në shërbim të kritikës me qëllim që Kosovë të përfitoj më shumë në negociatat e Vienës, pas të cilave erdhi edhe Pavarësia e Kosovës.

1958-2008, janë saktësisht 50 vite. I pari shënon vitin kur Demaçi u burgos, ndërsa i dyti pavarësia e Kosovës.

Me gjithë këtë aktivizëm e me mbi 28 vjet burgim, Demaçi sipas Gashit ka pas shumë ndjekës që i shkuan pasë, por vetëm tre mund të konsiderohen si nxënës të tij.

“Kur më thua kush janë nxënësit e Demaçit, mua më duket tre: Adem Jashari, një prej nxënësve të tij, që nuk e ka pasur problem me vdekë për lirinë e Kosovës. Ndonëse Demaçi dhe Jashari nuk kanë pasur asnjëherë takim…Edhe nxënësi i dytë i tij më duket Fehmi Lladrovci, këta kanë qenë shokë të burgut në vitet e 80-ta në Kroaci….Edhe personi i tretë që më asocon me Demaçin është vet Kryeministri i tanishëm i Kosovës, këto tri personalitet më duken qysh me thanë nxënës ose pasardhës të drepërdrejt të Demaçit”, ka deklaruar Shkëlzen Gashi, Publicist.

Megjithatë Demaçi nuk është vetëm i Kosovës. Më 1991 Paralamenti Evropian, i dha Çmimin Saharov.

Mandela i Kosovës siç cilësohet e fituesi i çmimit për lirinë e mendimit , 5 vjet pas vdekjes, vazhdon e do të vazhdojë të jetë figurë frymëzimi.

 

Shija e redaktorit

VV e PDK lëshojnë sallën, dështon votimi i buxhetit të...

Asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) kanë braktisur mbledhjen e Kuvendit të Komunës së Prishtinës, e cila kishte si...

Boksieri shqiptar Roberto Bakaj fiton meçin me nokaut

Roberto Bakaj ka shënuar fitore në meçin e zhvilluar në Harrow Leisure Center. Bakaj ashtu si vëllai i tij arriti ta nokautoj kundërshtarin, Shaban Hamadi...

Amarildo Bakaj fiton meçin me nokaut

Amarildo Bakaj ka shënuar një tjetër fitore në boksin profesionist. 25-vjeçari arriti fitore ndaj kundërshtarit, Mawuli Folivi në meçin e zhvilluar në Harros Leisure Center. Bakaj...

Të fundit nga rubrika