Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, mori pjesë në një panel diskutimi me temë “Gratë, Paqja dhe Siguria” (WPS), në Konferencën e Mynihut, duke u ndjerë e kënaqur që u është bashkuar të gjithëve aty për një temë shumë të rëndësishme për gratë e Kosovës dhe për gratë kudo në botë.
Osmani e filloi diskutimin e saj duke thënë se parimi bazë që agjenda për paqe dhe siguri (WPS) ka, është se jo vetëm që ndikon pozitivisht në jetën e grave, por ndikon në jetën e burrave dhe grave në mënyrë të barabartë, pra sipas saj, ndikon në barazinë e të gjitha komuniteteve.
Po ashtu, ajo ka thënë se sa më shumë gra të marrin pjesë në këto çështje, aq më pozitive do të jenë rezultatet për të gjithë.
“Gratë në Kosovë kanë pasur rol udhëheqës dhe shumë të rëndësishëm gjatë viteve të ’90-ta në rezistencën paqësore, kur populli i Kosovës ishte viktimë e aparteidit, regjimit të Millosheviqit ku praktikisht të gjitha të drejtat e njeriut ishin të shkelura nga regjimi i dhunshëm”, ka deklaruar Osmani.
E para e vendit, ka thënë se gratë kanë qenë një pjesë jetike e shtetndërtimit dhe vazhdojnë të jenë paqendërtuese.
“Gratë kanë qenë një pjesë jetike e shtetndërtimit tonë e janë paqendërtuese, dhe kjo ka treguar se sa më shumë të jenë aty përmes pjesëmarrjes, përmes kontributit të tyre, aq më të suksesshëm jemi historikisht”, është shprehur Osmani, raporton Dukagjini.
Ndërkaq, ajo ka thënë se gratë e Kosovës kanë qenë shumë të përfshira gjatë luftës çlirimtare, ku shumë prej tyre ranë dëshmore.
Presidentja Osmani ka shtuar se Kosova është shembull i shkëlqyer i rikuperimit pas luftës, ndërsa përmendi edhe faktin se janë mbi 20 mijë gra të dhunuara nga forcat serbe gjatë luftës 1998-99.
Osmani gjithashtu ka përmendur se në të njëjtën mënyrë siç kanë luftuar gratë kosovare, tani gratë e Ukrainës janë duke e mbrojtur atdheun e tyre.
Ndër të tjera, Osmani para të pranishmëve ka thënë se Kosova është një ndër storiet më të mira të suksesit dhe se është shembull i shtetit demokratik.
🔴 Live now: #MSC2023 | Conversation on Women, Peace & Security
Speakers: @VjosaOsmaniPRKS, @FranciaMarquezM, @Tsihanouskaya and @SvenjaSchulze68, moderated by @theidlethinker https://t.co/drzdQCiS10
— Munich Security Conference (@MunSecConf) February 18, 2023