Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, ka thënë se kontingjenti i FSK-së e ka festuar 15-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës në Turqi.
Ndërsa, ka bërë të ditur se ata u vizituan nga ushtarakë të forcave turke, ani pse ishte një gjendje e jashtëzakonshme.
“Edhe pse në gjendje të jashtëzakonshme, ushtarakë të forcave turke gjetën kohë të vizitojnë ushtarakët tanë në zonën e operacionit të kërkim- shpëtimit, për t’u uruar Ditën e Pavarësisë”, ka njoftuar Mehaj në Facebook.
Ndër të tjera, ai ka bërë të ditur se forcat turke u kanë dhuruar ekipit nga Kosova një flamur të Turqisë, në shenjë falënderimi për mbështetjen.
“Gjithashtu, komandot e forcave turke në shenjë mirënjohje e falënderimi për gjithë mbështetjen e ofruar nga shteti dhe ushtria jonë dhuruan flamurin e Republikës së Turqisë”, ka shkruar Mehaj.
Ndërsa, është shprehur se “Miku më i mirë është ai që ke përkrah në ditë të vështirë”.
Ndryshe, ekipi i FSK-së ndodhet në Turqi për të ndihmuar në gjetjen e njerëzve që kanë mbetur të gjallë apo të vdekur nën rrënoja, si pasojë e tërmetit që ka goditur vendin më 6 shkurt.