Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi ka njoftuar se gjatë Javës së Pavarësisë është takuar me ish të burgosurit politik dhe të persekutuarit politikisht nga Jugosllavia, bashkërrugëtarë të heroit Adem Jasharit, mjekë që shëruan plagët e pjesëtarëve të UÇK-së gjatë luftës, familjet e liderëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe me deputetët që kanë nënshkruar Deklaratën e Pavarësisë.
Krasniqi ka thënë se për të ishte motivues takimi me nxënësit e shkollës fillore në Velezhë të Prizrenit, prej të cilëve ka kuptuar se kanë rëndësi pritjet e tyre për një atdhe që i mirëpret të rriten e të realizojnë ëndrrat.
Derisa për takimin e tij me studentët e Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, ai ka thënë se ka kuptuar që të rinjtë “kanë potencial e vullnet për t’u edukuar, edhe si qytetarë, edhe si profesionistë”.
“Qytetarët tanë dhe gjeneratat e reja, si ajo e periudhës së pavarësisë, nuk mund të shpresojnë në të ardhme më të mirë, përderisa një Ambasador si Martin Berishaj, që del se është pjesë e skandaleve ndërkombëtare të mafisë energjetike rajonale, jo vetëm që nuk shkarkohet, por merret në mbrojte nga pushteti”, ka thënë kreu i PDK-së, duke shtuar se Kosova nuk mund të jetë vend me perspektivë, përderisa “pushtetarët strehojnë protagonistë të aferave mafioze”.
“Kosova nuk mund të jetë vend me perspektivë, përderisa inflacioni ju bie si barrë e papërballueshme familjeve kosovare, ndërsa qeveria nuk ka ide se si ta zhbllokojë ekonominë. Nuk mund të ketë të ardhme të sigurt e të qëndrueshme për një vend si Kosova, që ka potencial për të eksportuar energji, e nga keqqeverisja përfundon në terr, ndërsa qytetarët paguajnë faturat më të shtrenjta në rajon”, ka shtuar tutje Krasniqi.
Sipas tij, nuk mund të ketë të ardhme të qëndrueshme e as demokratike, në një vend ku pushteti paragjykon drejtësinë dhe sulmon mediat e lira.
“Kjo mungesë perspektive, si pasojë e një pushteti të paaftë, sot është duke e zbrazur Kosovën”, ka potencuar Krasniqi.
Krasniqi është shprehur se kjo nuk është e ardhmja që qytetarët e duan për atdheun e tyre dhe as e ardhmja për të cilën ata kanë sakrifikuar. “E ardhmja e Kosovës duhet të jetë një tregim krejtësisht ndryshe. Jetësimin e asaj të ardhmeje duhet ta nisim tani dhe pa vonesë, së bashku, me dashuri e përkushtim për Kosovën e fëmijëve tanë”, ka shtuar tutje i pari i PDK-së, Memli Krasniqi.