Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në vazhdën e takimeve në ditën e parë të Konferencës së Mynihut, është takuar edhe me të dërguarin special të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lord Stuart Peach.
Zyra e Kryeministrit, nëpërmjet një njoftimi, ka bërë të ditur se në këtë takim është diskutuar për rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
“U diskutua për marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale, rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, veçanërisht në fushën e sigurisë, dhe për zhvillimet dhe sfidat rajonale”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, siç njofton Zyra e Kryeministrit, Kurti ka falënderuar Lord Peach për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës në zhvillimin dhe proceset integruese të saj, dhe rolin aktiv të Mbretërisë së Bashkuar në Ballkanin Perëndimor.
Kujtojmë se, Kurti ka zhvilluar disa takime në kuadër të Konferencës së Mynihut, ai është takuar me përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.
Në takim me Borrell e Lajçak është diskutuar për procesin e dialogut e propozimin evropian dhe për takimin e radhës së nivelit të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, që u caktua të mbahet më 27 shkurt në Bruksel.
Kurti është takuar edhe me senatorin amerikan, Bob Menendez, njëherësh kryetar i Komisionit të Senatit të Shteteve të Bashkuara për Marrëdhëniet me Jashtë. Ata diskutuan për marrëdhëniet bilaterale, partneritetin e ngushtë ndërmjet dy vendeve dhe fuqizimin e mëtejmë të tij.
I pari i Qeverisë ka takuar edhe dy senatorët amerikanë, Jeanne Shaheen dhe Chris Van Hollen.
Siç njofton ZKM, në këtë takim është diskutuar për situatën e sigurisë në rajon dhe për zhvillimet e fundit. Lidhur me dialogun për normalizim me Serbinë dhe propozimin evropian, Kurti ka thënë se Kosova do të ketë angazhim konstruktiv dhe të vazhdueshëm në këtë proces.
Kryeministri Kurti i ka falendëruar senatorët Shaheen dhe Van Hollen për ndihmën, mbështetjen dhe interesimin e vazhdueshëm të tyre dhe të ShBA-ve për Kosovën.