Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se raportet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) janë të përhershme dhe afatgjata.
Këto deklarata ajo i bëri në një konferencë për media pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit, e pyetur për raportet në mes të Kosovës dhe ShBA-së.
“Kosova ndër vite ka pasur kontakte të mira me ShBA-në, nuk është diçka që duhet të shikohet në këndvështrim të shkurtër, raportet me ShBA janë afatgjata dhe të përhershme”, ka thënë Kusari-Lila.
Ndërsa e pyetur për dialogun Kosovë-Serbi se a po përfillen kërkesat e ndërkombëtarëve,
Kusari-Lila është shprehur se mund të ketë dinamika që individualisht palëve mund t’u tingëllojë ndryshe, por sipas saj, e rëndësishme është që dialogu të përfundojë me marrëveshje finale me njohje reciproke.
“Përderisa ka dialog, ka proces, zhvillim, s’mund të quhet dështim, nuk mund të paragjykohet si dështim, në këtë proces mund të ketë dinamika që individualisht palëve mund t’u duket e ndryshme, është e rëndësishme të vazhdojë procesi, synimi në fund të jetë marrëveshja finale me njohje reciproke dhe normalizimi i plotë i raporteve midis dy vendeve”, ka vijuar ajo.