Biden në vizitë të paparalajmëruar në Kiev: “E dija se do të kthehem”

Presidenti i ShBA-ve, Joe Biden, teksa ka folur përkrah presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka përgëzuar popullin e këtij vendi për "guximin në luftë"

“E dija se do të kthehem”.

Kështu është shprehur presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Joe Biden, gjatë vizitës së tij të paparalajmëruar në Kiev, duke folur përkrah presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, teksa ka kujtuar se ai ka vizituar Ukrainën gjashtë herë gjatë kohës sa ka shërbyer si nënpresident.

Është ky udhëtimi i tij i parë në Ukrainë, prej se Rusia ka nisur pushtimin e këtij vendi gati një vit më parë.

Biden përgëzoi popullin e këtij vendi për “guximin në luftë”, shkruan REL.

Fotografitë e shpërndara në mediat sociale shfaqën Zelenskyn duke pritur homologun e tij amerikan në qendër të kryeqytetit Kiev, më 20 shkurt.

Ndonëse paraprakisht u dëgjuan sirena paralajmëruese, nuk u raportua për ndonjë sulm.

Zelensky tha se vizita e Bidenit “është një shenjë jashtëzakonisht e rëndësishme e mbështetjes për të gjithë ukrainasit”.

Biden tha se ndodhet në Kiev për të konfirmuar angazhimin e palëkundur të SHBA-së “ndaj demokracisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës”.

“Kur [presidenti rus, Vladimir] Putin nisi pushtimin gati një vit më parë, ai mendoi se Ukraina është e dobët dhe se Perëndimi është i përçarë. Ai mendoi se mund të na mposhtë, por e kishte gabim”, tha Biden.

Ai shtoi se SHBA-ja po përgatit një dërgesë të re të “pajisjeve kritike” për Ukrainën, e cila, siç tha, do të përfshijë municione artilerie dhe radarë të mbikëqyrjes ajrore.

Biden, po ashtu, paralajmëroi sanksione të reja kundër shtetit rus.

SHBA-ja është ndër ofruesit më të mëdhenj të ndihmave për ushtrinë ukrainase. Që nga fillimi i pushtimit rus, më 24 shkurt të vitit të kaluar, Uashingtoni i ka dërguar pajisje mbrojtëse dhe logjistike në vlerë prej dhjetëra miliarda dollarësh.

Vizita e Bidenit vjen në kohën kur forcat ruse janë duke sulmuar rëndë pozicionet ushtarake dhe vendbanimet civile në Ukrainën lindore dhe jugore.

Rusia kreu dhjetë sulme raketore dhe 25 sulme ajrore në rajonet lindore të Luhanskut dhe Donjeckut, si dhe në rajonin jugor të Zaporizhjes, tha Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase në raportin e tij të përditshëm.

Sipas tij, sulmet lanë disa civilë të vrarë dhe të plagosur. Pa dhënë më shumë detaje, Shtabi paralajmërsoi se kërcënimi nga sulmet ruse mbetet i lartë në të gjithë Ukrainën.

Biden dhe Zelensky u takuan për herë të fundit në dhjetor, kur presidenti ukrainas qëndroi për vizitë zyrtare në Washington.

Asokohe, Biden e siguroi homologun e tij se mbështetja e SHBA-së për Ukrainën “do të vazhdojë për aq kohë sa të ketë nevojë”.

Shija e redaktorit

Gjeneral Jashari takohet me Shefen e Mbrojtjes së Forcave të...

Gjatë vizitës zyrtare në Kanada, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zhvilloi një takim bilateral me Shefen e Mbrojtjes së...

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Të fundit nga rubrika