Shpërblimet “BAFTA”, të cilat i ndanë Akademia Britanike e Filmit, konsiderohen “Oscari” i Britanisë së Madhe dhe zakonisht projektet e shpërblyera në këtë ceremoni, pritet të triumfojnë edhe në ngjarjen më të madhe të kinematografisë në SHBA, e cila mbahet më 13 mars.
Komedia e çuditshme, “Everything Everywhere All at Once”, që vlerësohet si favorit për t’u shpërblyer me “Oscar”, ka fituar vetëm një çmim nga 10 nominimet e tij në “BAFTA”.
Ngjarja e rëndësishme e filmit u mbajt në sallën “Royal Festival Hall” në Londër.
Aktori Richard E. Grant ishte prezantues i ceremonisë të së dielës, i ndihmuar në skenë edhe nga prezantuesja televizive, Alison Hammond.
Grant bëri shaka në fjalimin e tij teksa e përmendi incidentin e famshëm ndërmjet aktorëve, Will Smith dhe Chris Rock, duke thënë: “Sonte askush nuk do të goditet me flakaresh nën mbikëqyrjen time. Përveç nëse goditet në të pasme”.
Në mesin e të ftuarve që e hijeshuan qilimin e kuq të shtruar me rastin e kësaj ngjarjeje ishin disa prej yjeve më të njohur të industrisë së filmit si, Colin Farrell, Ana de Armas, Eddie Redmayne, Brian Cox, Florence Pugh, Catherine Zeta-Jones, Cynthia Erivo, Julianne Moore dhe Lily James.
Trashëgimtari i fronit, Princi William, i cili shërben si president i Akademisë Britanike të Filmit dhe Televizionit, po ashtu e ndoqi ceremoninë i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Kate Middleton.
Helen Mirren i bëri homazhe gjyshes së Williamit, Mbretëreshës Elizabeta e Dytë, e cila vdiq në shtator të vitit të kaluar. Mirren, e cila e portretizoi monarken e ndjerë në ekran në filmin “The Queen”, dhe në skenë në shfaqjen “The Audience”, e quajti Elizabetën “prijëse të kombit”.
Akademia në këtë edicion të fundit erdhi me disa ndryshime për ta rritur diversitetin në mesin e të nominuarve dhe personave të shpërblyer, kjo pasi në kaluarën mori kritika të mëdha për faktin se asnjë grua nuk ishte nominuar për kategorinë “Regjia më e mirë” për të shtatin vit radhazi, dhe 20 personat e nominuar në kategoritë kryesore dhe dytësore i takonin racës së bardhë.
Këtë vit ishin 11 regjisore femra të nominuara për çmime në të gjitha kategoritë, duke përfshirë filmat dokumentarë dhe të animuar.
Ceremonia u hap me performancën e yllit të filmit “West Side Story”, Ariana DeBose, e cila e interpretoi këngën “Sisters are Doin’ it for Themselves”.
Ajo e kishte shtuar një pjesë në interpretimin e saj që kishte për qëllim t’i nderojë aktoret e nominuara sivjet, si Michelle Yeoh, Cate Blanchett dhe Viola Davis.