Ftesën e kombëtares së Kosovës e kishte pranuar pa menduar dy herë.
Teksa, në disa ndeshje e barti edhe shiritin e kapitenit në krah.
Mesfushori dardan, Valon Berisha ka treguar shumë detaje nga karriera e tij ekipore, momentet më të mira me kombëtare në një intervistë me moderatoren, Kadrie Canolli në emisionin “Dueli Ditor” në RTV Dukagjini.
“Ekipa më ka pritur shumë mirë prej fillimi dhe komunikimi me trajnerin ma ka bërë punënë më të lehtë. Për këto arsye po kam performanca të mira edhe në fushën e gjelbër. Gjithçka po shkon shumë mirë”, tha ai për aventurën që po kalon në elitën e futbollit australian.
Teksa, kur u pyet se ku ka kaluar më së miri në Evropë, Berisha dha një përgjigje interesante.
“Në shumë vende kam kaluar mirë, por në Itali kam pasur probleme me lëndime dhe nuk kam arritur ta kem atë ritmin që pasur qejf ta tregoj. Sukseset më të mëdha i kam pasur mendoj me Salzburgun, pasi luajtëm në Europaligë”.
Sa i përket golit më të veçantë të cilin e ka shënuar në karrierë, Valoni u ndje nostalgjik, por edhe krenar.
“Goli që më ka dhënë ndjeshmërinë më të madhe ka qenë goli i parë me kombëtaren e Kosovës. Ka qenë një lojë shumë e mirë dhe për mua ka qenë diçka shumë e madhe me e përfaqësu Kosovën dhe familjen time, ato momente nuk harrohen”, potencoi ai.
30 vjeçari gjithashtu tregoi për fund se cilët janë miqtë e tij më të mirë në kampin e Dardanëve.
“Kam shumë shokë në kombëtare, e kemi një grup që kontaktojmë shumë me njëri-tjetrin, ja përcjellim lojët njëri tjetrin. Me Abërin kemi lujtuar dy vite bashkë në Francë dhe e kemi kriju një miqësi më të veçantë”.
Berisha ka zhvilluar 17-të paraqitje në këtë sezon me fanellën e Melbourne Citu, teksa është autor i një goli dhe dy asistimeve.