Të pavërteta e të pasakta i ka cilësuar deklaratat e Haki Abazit, kundër VV-së, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kurti ka thënë se partia që ai e drejton është partia më demokratike në vend.
“Ato nuk janë të vërteta e as të sakta. Për këtë është përgjigjur ministrja e Drejtësisë. LVV është subjekti jo vetëm më i madh, por edhe më demokratik i Kosovës. Të gjitha çështjet ne, edhe i diskutojmë hapur në forumet tona, por edhe secili deputet i shpreh qëndrimet e veta. Unë nuk mund të mbaj përgjegjësi për fjalën publike të dikujt”, ka thënë ai.
Ditë më parë, deputeti i VV-së, Haki Abazi, kishte hedhur një mori akuzash në drejtim të VV-së dhe kryeministrit Kurti.
Ai kishte thënë se në këtë parti nuk ka fare demokraci, dhe se veprimet e deputetëve dirigjohen nga Mimoza Kusari – Lila dhe Dejona Mihaili.
Po ashtu, Abazi kishte hedhur akuza ndaj Qeverisë edhe për rastin Dehari, duke thënë se ekzistojnë video-incizime për humbjen e mostrave dhe se duhet të merren në intervistë nga prokuroria kryeministri Kurti dhe ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu.