Të martën e 21 shkurtit ka pasur rrëshqitje të dheut në një pjesë të autostradës Suharekë-Prizren, kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi.
Krasniqi ka thënë se shiriti emergjent dhe i djathtë i lëvizjës janë bllokuar tërësisht, ndërsa shiriti i majtë është i bllokuar përgjysmë.
“Në një pjesë të autostradës Suharekë-Prizren km-27, ka rrëshqitur dheu. Shiriti emergjent dhe shiriti i djathtë i lëvizjes është bllokuar tërësisht, ndërsa edhe shiriti i majtë është i bllokuar përgjysmë nga dheu, por qarkullimi i automjeteve është duke u zhvilluar me shpejtësi të ngadaltë”, ka thënë Krasniqi për Portalin Dukagjini.
Ndërsa, ka bërë të ditur se Kompania për mirëmbajtjen e rrugëve e ka siguruar rrugën përmes shenjave përkatëse.
“Kompania për mirëmbajtjen e rrugëve ka bërë sigurimin e vendit të ngjarjes duke i vendosur shenjat përkatëse”, ka shtuar tutje Krasniqi.
Përmes një postimi në Facebook, ka reaguar edhe Zëvendësministri i infrastrukturës, Hysen Durmishi, i cili ka treguar se është mbyllur përkohësisht segmenti nga Suhareka deri në Prizren, ndërsa ka theksuar se rruga nga Prizreni drejt Prishtinës është e lirë për qarkullim.
Durmishi ka shtuar se po punohet që të zhbllokohet segmenti rrugor dhe ka kërkuar mirëkuptim nga ana e qytetarëve.
“Bashkë me ekipet e mirëmbajtjes jemi në teren dhe jemi duke punuar vazhdimisht deri në zhbllokimin e këtij segmenti rrugor, duke marrë kështu të gjitha masat e duhura në mënyrë që nesër ky segment të jetë i lirë për qarkullim. Kërkojmë mirëkuptimin e të gjithë qytetarëve që e shfrytëzojnë këtë rrugë, që nga Suhareka deri në Prizren ta shfrytëzojnë rrugën nacionale N25”, ka shkruar Durmishi në llogarinë e tij.