Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka njoftuar se të mërkurën e 22 shkurtit ka pritur në takim lamtumirës këshilltarin bilateral të Forcave të Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar, lejtënant kolonel John Hunter.
Mehaj e dekoroi me mirënjohje lejtënant kolonel Hunter.
“Me këtë rast për shërbimin e tij dhe kontributin e dhënë në avancimin e kapaciteteve të FSK-së, rolin këshillues në implementimin e Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit, realizimin e planit bilateral me Forcat e Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar, si dhe kontributit të dhënë në përfundimin me sukses të trajnimit të kontigjentit të parë të FSK-së përkrah Forcave të Armatosura Britaneze në Ishujt Falkland, u dekorua me mirënjohje nga ana ime. Lejtënant Kolonel Hunter i dëshiroj suksese në detyrën dhe misionin e ri të tij”, shkroi Mehaj.
Ndryshe, Mehaj të martën ka pritur në takim anëtarët e Shoqatës së Kërkim-Shpëtimit, të cilët përkrah ushtarakëve tanë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, për disa ditë me radhë kanë kontribuuar në misionin e kërkim-shpëtimit të të mbijetuarve dhe viktimave të tërmetit në Republikën e Turqisë.
“Gatishmëria e tyre që vullnetarisht të bëhen pjesë e këtij misioni flet shumë për personalitetin e tyre, e profesionalizmi i shfaqur përgjatë ditëve të angazhimit është pasqyra më e mirë që një qytetar mund të prezantojë për shtetin e tij. Jemi mirënjohës e krenarë për punën tuaj”, kishte shkruar Mehaj në Facebook.