Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se vendimet e miratuara nga Qeveria e Kosovës, janë shumë të rëndësishme, siç është lejimi deri në 20 milionë euro hua për Trepçën.
Me lejimin deri në 20 milionë euro hua për Trepçën do të mundësohet që kjo ndërmarrje të ketë produktivitet më të madh, sipas Muratit.
“Vendim tjetër i rëndësishëm ishte edhe vendimi për miratimin në parim të huadhënies për Trepçën që parasheh investime deri në 20 milionë euro në pajisje të reja për rritjen e produktivitetit dhe efiçencës. Kjo është në kuadër të programit tonë qeverisës për rimëkëmbjen e ndërmarrjeve publike”, ka thënë ai.
Më tej, Murati ka folur edhe për hartimin e strategjisë kundër korrupsionit, që sipas tij, do të përfundojë deri në fund të vitit 2023 nga një komision ndërministror.
“Është një komision ndërministror që deri në fund të vitit pritet që ta hartojë strategjinë. Si qeveri na takon që të sigurojmë integritetin e zyrtarëve dhe të çrrënjosim korrupsionin, në mënyrë që të vazhdojmë edhe me progresin tonë në raportet ndërkombëtare”, ka deklaruar Murati.