Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, të mërkurën ka reaguar pas rastit të raportuar për sulmin fizik, që një edukatore ka ushtruar ndaj një fëmije në një kopsht privat në Mitrovicë.
Nagavci u shpreh se Inspektorari i Arsimit e ka inspektuar institucionin parashkollor dhe ia ka ndërprerë marrëdhënien e punës edukatores.
“Dhuna është e patolerueshme dhe e dënueshme.Me keqardhje kemi pranuar lajmin për rastin e ndodhur në një Kopsht privat në Mitrovicë, për dhunën e ushtruar ndaj një fëmije nga një edukatore e këtij kopshti.Menjëherë pas pranimit të informatës, Inspektorati i Arsimit e ka inspektuar këtë institucion parashkollor dhe është informuar se edukatores në fjalë i është ndërprerë marrdhënia e punës”.
Ndër të tjera, ajo është shprehur se dhuna është e dënueshme dhe ka uruar që ky të jetë rasti i fundit që ushtrohet dhunë ndaj fëmijëve.
“Sipas legjislacionit në fuqi dhuna është e dënueshme dhe rasti tashmë është denoncuar edhe në organet e hetuesisë. Uroj që ky të jetë rasti i fundit i ngjashëm në cilindo institucion eduaktivo-arsimor dhe përgjithësisht i dhunës ndaj fëmijëve. Si ministre e Arsimit zotohem se do të jemi të pakompromis ndaj çfarëdo forme të dhunës ndaj fëmijëve”, ka shkruar Nagavci në llogarinë e saj në Facebook.