Në seancën e së mërkurës në Kuvendin e Kosovës projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë për programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar nuk i ka marrë votat e mjaftueshme për t’u miratuar.
Për këtë projektligj kanë votuar 73 deputetë, 11 prej tyre kanë abstenuar, ndërsa një ka qenë kundër.
Opozita pati kritika për këtë projektligj.
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se për këtë marrëveshje nuk ka pasur asnjë diskutim paraprak.
“Kjo marrëveshje është me Fondin OPEC, 40 milionë dollarë kredi është kredi për të miratuar ligje, nuk është për ndonjë projekt kapital”.
Ndërsa shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka theksuar se ministri i Financave, Hekuran Murati duhet t’i elaborojë më mirë këto marrëveshje.
“Duhet të bëhet një elaborim më i thukët nga ministri për këto marrëveshje”, ka thënë Tahiri.