Prekazi i Skenderajt, në datat 5, 6 e 7 mars të secilit vit pret mijëra qytetarë nga brenda e jashtë vendit në shënimin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Këtë vit, këto data asociojnë edhe me një projekt të rëndësishëm për ruajtjen e trashëgimisë së familjes Jashari.
Në kompleksin e kullave të familjes Jashari, pritet që të përfundojë një fazë fillestare e punimeve në ruajtjen e tyre, përmes ndërhyrjeve që janë konsideruar emergjente.
“Në fund të vitit të kaluar kanë filluar ndërhyrjet emergjente, dhe në tri ndërtesa dhe synimi ka qenë që të menjanohet rreziku dhe gjendja kritike, e ndërtesave që gjenden brenda kompleksit, dhe këto 3 ndërhyrje janë drejt përfundimit, dhe pritet të përfundojnë gjatë javës së parë të marsit.”, ka thënë Nora Arapi-Krasniqi, këshilltare për trashëgimi kulturore.
Këshilltarja për trashëgimi kulturore në MKRS, Nora Arapi-Krasniqi, tregon se së shpejti do të hapet konkursi për projektin e përgjithshëm për të gjithë kompleksin “Adem Jashari”.
“Së bashku me agjencionin për menaxhimin e memorialeve dhe ministria e kulturës jemi, duke i ndërmarrë përgaditjet për shpalljen e konkursit, pra gjatë muajit në vijim pritet shpallja e konkursit përzgjedhja e kompanisë projektuese, hartimi i projektit dhe fillimi i ndërhyrjeve fillimisht në zonën e parë ku janë kullat e rezistencës”, ka vijuar ajo.
E drejtori i Agjencionit për menaxhimin e komplekseve memoriale, tregon se çka synohet të bëhet në Prekaz.
“Nuk do të jenë vetëm kullat që vizitohen, por edhe aty do të jetë edhe qendër për rekreacion, që qytetarët kur të vijnë të kenë mundësi të sheh edhe natyrën e Drenicës, dhe të Kosovës, por edhe betejen edhe ngjarjen që është folur dhe dëgjuar, ata që nuk e kanë parë deri më tani, të shohin dicka më të dinjitetshme, por edhe ata që e kanë parë herën e kaluar sigurisht që do të jetë më ndryshe, po shpresojm që do të jetë njëri prej projekteve më të mira”, ka thënë Bislim Zogaj.
Kompleksi memorial “Adem Jashari” është zonë me interes të vecantë, dhe që nga viti 2018, mbrohet me ligj të vecantë, ndërsa në vitin 2021 është themeluar edhe komiteti ndërministror për këtë kompleks, i kryesuar nga kryeministri Albin Kurti.
Ndër vite për këtë kompleks janë shpallur më shumë se 40 tenderë, e janë shpenzuar më shumë se 10 milionë euro, por që kullat vazhdimisht kanë në të shembje.