Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, është pritur të mërkurën në Gjilan nga ndërmarrës dhe përfaqësues të bizneseve, nga të cilët, është njoftuar për sfidat e tyre të përditshme, sidomos tani në këtë periudhë të krizës ekonomike.
Kreu i PDK-së ka deklaruar se nuk mund të ketë shtet të zhvilluar pa sektor privat të fuqishëm.
Krasniqi, nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se gjatë këtij takimi, përfaqësuesit e bizneseve në Gjilan ndanë shqetësimin për mungesën e fuqisë punëtore, sepse shumë profesionistë po e lënë Kosovën në mungesë të perspektivës në vend.
“Ky fakt, përveç i dhimbshëm, është edhe shqetësues. Me këtë trend të ikjes, Kosova po rrezikon të mbetet një vend i braktisur. Keqqeverisja dhe trajtimi armiqësor ndaj bizneseve, po i dekurajon ndërmarrësit. Kjo politikë i ka larguar edhe ata pak investitorë të huaj që kishin filluar ta shohin Kosovën si vend potencial për investime”, ka shkruar Krasniqi në faqen e tij në Facebook.
Ndërkaq, Krasniqi ka thënë se shteti duhet të ketë rolin e vet vetëm si partner dhe krijues i kushteve më të mira për bizneset, të cilat duke u rritur e forcuar, krijojnë vende pune të qëndrueshme me paga dinjitoze.