Policia e Kosovës ka dhënë detaje për aksidentin e së mërkurës në rrugën Ferizaj-Shtime, si pasojë e të cilit kanë mbetur të vdekur katër persona.
Sipas raportit 24-orësh të policisë, thuhet se deri te aksidenti dyshohet se ka ardhur, kur drejtuesi i njërës nga veturat, për arsye deri më tani të panjohura, humb kontrollin mbi veturë dhe godet dy veturat e tjera të cilat ishin duke lëvizur në drejtim të kundërt.
“Ka ndodhur aksident trafiku në mes të tri veturave me targa vendore, deri te aksidenti dyshohet se ka ardhur kur drejtuesi i njërës nga veturat për arsye deri më tani të panjohura, humb kontrollin mbi veturë dhe godet dy veturat e tjera të cilat ishin duke lëvizur në drejtim të kundërt”, thuhet në raport.
Nga ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes është konstatuar se tri viktima meshkuj kosovarë janë pa shenja jete.
Ndërsa tre të lënduar të tjerë janë dërguar në emergjencën e Ferizajt, ku më pas ka ndërruar jetë edhe viktima e katërt mashkull kosovar, ndërsa dy të lënduarit e tjerë janë dërguar në QKUK Prishtinë për tretman të mëtutjeshëm mjekësor.
Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe prokurori i shtetit.