Përfaqësuesi për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell në njëvjetorin e luftës në Ukrainë ka ftuar shtetet anëtare të Kombeve të Bashkuara që të votojnë pro për një draft-rezolutë, sipas së cilës i kërkohet Rusisë që t’i tërheqë trupat nga Ukraina dhe të bëjë thirrje për t’i dhënë fund armiqësisë.
Para seancës së veçantë në Asamblenë e Përgjithshme në një konferencë të përbashkët me ministrin e Punëve të Jashtme të Ukrainës, Dmytro Kuleba ka thënë se gjatë këtij viti Rusia ka shkatërruar infrastrukturën civile.
“Ja ku jemi, në New York së bashku me ministrin për Punët e Jashtme të Ukrainës, Dmytro Kuleba, një vit pasi Rusia filloi pushtimin e Ukrainës. Dhe ne e dimë se çfarë ka ndodhur gjatë këtij viti: shumë vuajtje për popullin ukrainas, mijëra njerëz të vrarë, infrastrukturë civile të shkatërruar, Rusia bombardon çdo ditë për të frenuar rezistencën e popullit ukrainas”, ka deklaruar Borrell.
Kryediplomati evropian ka thënë se kjo luftë ka dërguar valë tronditëse në mbarë botën, duke krijuar telashe për të gjithë, teksa ka shtuar se e gjithë bota po e paguan çmimin e lartë të kësaj lufte për sa u përket çmimeve të energjisë elektrike, ushqimeve dhe krizës së afërt ekonomike.
“Pra, shpresoj që Kombet e Bashkuara të mbështesin këtë rezolutë që Ukraina i ka kërkuar Bashkimit Evropian ta udhëheqë në mënyrë transparente dhe gjithëpërfshirëse, në mënyrë që të ketë në bord të gjithë ata që duan të mbështesin parimet e Kombeve të Bashkuara. Sepse kjo nuk ka të bëjë vetëm me Ukrainën, por me botën në të cilën duam të jetojmë. Bëhet fjalë për të drejtën e njerëzve për të jetuar lirisht dhe në paqe në një vend të pavarur, sovran, ku kufijtë e tyre janë të njohur nga komuniteti ndërkombëtar”, ka vijuar ai.