Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka thënë se ratifikimi i tri marrëveshjeve ndërkombëtare që ndodhi në seancën e së enjtes në Kuvendin e Kosovës ka të bëjë me një hap të rëndësishëm dhe, sipas tij, “është një shenjë e qartë e përkushtimit të Kosovës për të ecur përpara në rrugën e saj të integrimit evropian”.
Szunyog është shprehur se ratifikimi i tri marrëveshjeve ndërkombëtare që ndodhi sot, ka të bëjë edhe me përmirësimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë.
“Ratifikimi i sotëm është një hap i rëndësishëm për Procesin e Berlinit, Tregun e Përbashkët Rajonal dhe përmirësimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë. Është një shenjë e qartë e përkushtimit të Kosovës për të ecur përpara në rrugën e saj të integrimit evropian”, ka shkruar Szunyog në Twitter.
Ndër të tjera, ai ka shtuar se marrëveshjet do të ndihmojnë edhe në njohjen e kualifikimeve.
“Këto tri marrëveshje ndërkombëtare do të mundësojnë lëvizjen e lirë me karta identiteti dhe njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë dhe kualifikimeve profesionale brenda #Ballkanit Perëndimor”, ka shkruar gjithashtu ai në Twitter.
Today’s ratification is an important step for the #BerlinProcess, #CommonRegionalMarket and improving good neighbourly relations. It is a clear sign of 🇽🇰#Kosovo's dedication to moving forward on its European integration path.
— Ambassador Tomáš Szunyog (@EUAmbKS) February 23, 2023