Në prag të njëvjetorit nga pushtimi i Ukrainës, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, është shprehur se Rusisë nuk i doli ashtu siç e priti.
“Para një viti, Rusia ka menduar që po futet në një luftë fitoreje, duke invaduar një shtet të lirë e demokratik e mbi të gjitha një shtet që udhëhiqet nga shpirti i lirisë dhe çlirimtarëve, Ukrainën”, ka shkruar Haradinaj.
Tutje, ai tha se “sot Rusia është e thyer, Putini i turpëruar dhe bota demokratike më e bashkuar se kurrë”.
Kryetari i AAK-së u shpreh se Ukraina e ka dhënë shembullin më të mirë se duhet atdheu dhe si luftohet për të.
“Nuk mposhtet një vend që udhëhiqet nga vlerat e mëdha patriotike e vizioni demokratik, nga dëshira për të jetuar në shtetin e tyre sovran në paqe e prosperitet. Ukraina dha shembull në të gjithë globin se si duhet atdheu dhe si luftohet për të”, ka thënë ai.
Ai tha se populli i Kosovës ka përjetuar të njëjtin agresion, dhe se bashkëndjen me Ukrainën dhe popullin e saj.