Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ka thënë se së bashku me autoritetet në Kosovë, do të koordinohen me UEFA-n dhe organet e tjera ndërkombëtare për të hetuar raportet e trukimeve të ndeshjeve të publikuara nga mediat franceze të enjten.
Komiteti Ekzekutiv i FFK-së, në mbledhjen e mbajtur të premten, sipas njoftimit, menjëherë ka marrë masat e nevojshme për hetimin e rastit dhe adresimin urgjent të tij tek organet kompetente.
“KE i FFK-së e ftoi në raportim zyrtarin për Integritet të Garave dhe i njëjti vuri në pah se në vazhdimësi i ka raportuar të gjitha çështjet dhe parregullsitë potenciale te Këshilli për Parandalimin e Dhunës dhe dukurive tjera negative në sport, si organ kompetent në Republikën e Kosovës që merret me dukuritë negative. Zyrtari për Integritet të Garave e njoftoi KE-në se në vazhdimësi ka qenë në kontakt edhe me zyrtarët e UEFA-s dhe për çdo parregullsi e ka informuar Këshillin e lartpërmendur dhe nëse ka pasur nevojë edhe organet disiplinore”, thuhet në komunikatën për media nga FFK-ja.
“FFK së bashku me autoritetet në Kosovë, do të koordinohet me UEFA-n dhe organet tjera ndërkombëtare për hetimin e këtij rasti dhe varësisht prej rezultateve të hetimit, organet tona disiplinore do të ndërmarrin masat e nevojshme ndaj klubeve apo individëve të përfshirë në parregullsitë eventuale. FFK është plotësisht e gatshme të bashkëpunojë me çdo autoritet të Republikës së Kosovës dhe me ato ndërkombëtare, në mënyrë që të ruhet integriteti i futbollit dhe i sportit kosovar në përgjithësi”, thuhet tuje në reagimin e tyre.
FFK-ja ka rikujtuar se i monitoron të gjitha ndeshjet “për të parandaluar ndërhyrjen e kriminelëve në futboll në partneritet me kompanitë e aranzhuara nga UEFA”.
Po ashtu, siç kanë njoftuar FFK-ja, Kampionati i Kosovës vitet e fundit është rritur jashtëzakonisht shumë si në aspektin e cilësisë, ashtu edhe në atë të organizimit dhe të investimeve.
“FFK do të qëndrojmë vigjilent dhe do të jemi zero tolerant ndaj keqpërdoruesve dhe çdo gjëje që e njollos integritetin e garës dhe imazhin e futbollit tonë”, thuhet tutje në reagimin e FFK-së.
Të paktën katër ndeshje të elitës së futbollit në Kosovë u raportua të enjten se janë manipuluar për qëllime përfituese me bazë në Francë dhe Kosovë.
Kështu kishte njoftuar Juridiksioni i Specializuar Ndërrajonal i Nancyt (JIRS), i cili merret me luftimin e krimit të organizuar dhe krimeve financiare, shkruan mediumi i njohur francez Le Figaro.
“Shërbimi Qendror i Garave dhe Lojërave ka hetuar për gati një vit korrupsionin sportiv dhe mashtrimin e organizuar që përfshin një klub futbolli të elitës së futbollit në Kosovë”, thuhet në komunikatën e gjykatës.
Gazeta e madhe franceze, Le Parisien, e ka bërë të ditur emrin e ekipit futbollistik kosovar, i cili dyshohet për trukime të ndeshjeve.
Aty shkruhet se ekipi i Llapit të Podujevës është ekipi i dyshuar për kurdisje të rezultatit të ndeshjeve në Superligën e Kosovës në futboll.