Ministria e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar ka thënë se një shtetas britanik është vrarë dhe një është zhdukur në Ukrainë, raporton “BBC NEWS’.
Burimet në Ukrainë thanë për BBC që i vdekuri është shtetasi britanik, Scott Sibley dhe mësohet se ka luftuar për ushtrinë ukrainase. Scott Sibley është shtetasi i parë i konfirmuar që është vrarë në Ukrainë dhe është përshkruar si një “mik si askush tjetër”.
Ndërsa, detajet e vdekjes së Scott Sibley dhe se si dhe kur u zhduk personi i dytë ende nuk janë dhënë.
Burimet diplomatike kanë thënë se ka shumë mundësi që dy individët kanë qenë vullnetarë të huaj që shërbenin me forcat e armatosura ukrainase, në Mariupol ose në Donbas.
Homazhet për Scott Sibley janë bërë online, i cili mendohet të jetë një ish-anëtar i forcave të armatosura britanike.
Një postim në faqen e “Skuadronit të Mbështetjes Logjistike” në Facebook e përshkruan atë si “një ish-ushtar në shërbim të skuadres” duke shtuar se “kishte treguar shpirtin komando deri në fund.
Themeluesi i një faqeje për mbledhjen e fondeve e ka përshkruar Sibley-in si “një mik si askush tjetër” dhe “personin më të guximshëm që kam pasur kënaqësinë të njoh”. Po ashtu, themeluesi i faqes ka thënë se jeta e Scott Sibley mund të jetë shkurtuar, por ai i jetoi gjërat deri në fund.