Të hënën e 27 shkurtit do të zhvillohet mbledhja e dytë e përbashkët mes qeverisë së Shqipërisë dhe qeverisë së Malit të Zi, e cila do të mbahet në ndërtesën e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Malit të Zi (CANU) në Podgoricë.
Sipas agjendës, në orën 10:30 do të mbahet ceremonia e mirëseardhjes dhe prezantimi i dy delegacioneve para godinës së CANU-së, ndërsa në orën 10:45 do të jetë nisja e seancës së përbashkët.
Në orën 13:00 pritet të bëhet nënshkrimi i Deklaratës së Përbashkët dhe Marrëveshjes Bilaterale për ndërtimin e urës në lumin Buna.
Përveç këtyre, do të nënshkruhen edhe nëntë marrëveshje dhe memorandume në fushat e: energjisë, peshkimit, mbrojtjes së bimëve, mbrojtjes sociale, sportit, kulturës dhe medias, mbrojtjes, shëndetësisë, si dhe Marrëveshja për hapjen e kufirit të përbashkët në kalimin Shën Nikollë – Pulaj në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Pas nënshkrimit të marrëveshjeve ndërshtetërore, kryeministrat e dy vendeve, Edi Rama dhe Dritan Abazoviq, do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp.