Gazetari korrespondent në Bruksel, Augustin Palokaj, në emisionin “Magazina” të Radio Dukagjini, ka folur në lidhje me takimin që pritet të mbahet sot në Bruksel, në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
Palokaj ka thënë se ky takim i sotëm ka të bëjë vetëm me marrëveshjen “bazë” për normalizim të raporteve, e cila nuk përmban në vete njohje formale, por çon tutje drejt marrëveshjes finale gjithëpërfshirëse me njohje reciproke në qendër.
“Në këtë takim palët pritet të ketë pajtim për planin evropian, implementimin e asaj marrëveshjeje, është krijuar një përshtypje se kësaj radhe palët janë afër pranimit të kësaj marrëveshjeje”, ka thënë Palokaj.
Ai ka thënë se më nuk do të diskutohet se a do të pranohet marrëveshja, por vetëm do të pajtohen palët se kur do të fillojë implementimi i kësaj marrëveshjeje, dhe se është një etapë e re në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
“Dialogu po vazhdon tash e 12 vite, ka pasur episode të tilla, është një prej tyre ajo që synohet edhe prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është propozimi i BE-së, shpesh dëgjoj në Kosovë se nuk dihet përmbajtja e tij. Ne kemi publikuar përmbajtjen e këtij versioni, pikat kryesore të marrëveshjes janë që palët duhet të zhvillojnë raportet duke u bazuar në parimin e palëve të barabarta, Serbia nuk duhet të kundërshtojë anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, njohje formale nuk ka në tekst, nuk ka përmendje të ndonje date për njohje formale, palët duhet të zbatojnë të gjitha obligimet e mëhershme”, ka vijuar ai.
Ndërsa, për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, ka thënë se vetë fakti se kësaj radhe në marrëveshje theksohet se do të krijohet një komision për implementimin e kësaj marrëveshjeje, do të thotë se nuk ka pritje që marrëveshja do të kundërshtohet dhe se është obligim i marrëveshjeve të mëhershme.
“Ky është obligim i Kosovës, e ka marrë ish-kryeministri Hashim Thaçi, e ka nënshkruar sa ishte në pushtet, është obligim që i takon Kosovës dhe nuk i jepet fare mundësia se a do të zbatohet, por si do të zbatohet. Është sfidë për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, nuk është e para as e fundit, nuk është njëjtë si të jesh në opozitë sikurse në pushtet”.
Ai, ndër të tjera, ka thënë se zyrtarët e BE-së kanë thënë se Serbia e ka pranuar këtë plan evropian.
“Për Kosovën, përfitimet nga ky plan do të jenë si: nuk do të ketë asnjë arsye për zvarritjen e procesit të liberalizimit të vizave, për anëtarësim në KiE, shpejtimi i anëtarësimit të Kosovës në BE, vendet që na kanë njohur s’do të jenë pengesë”.
Ndërkaq, se kur mund të arrihet marrëveshja finale me njohje të ndërsjellë në mes të Kosovës dhe Serbisë, ka thënë se duhet pritur një kohë të gjatë dhe se në rrethana të tilla maksimumi që mund të arrihet është pranimi i marrëveshjes “bazë” në takimin e sotëm.