Propozimi evropian për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë mund të mos jetë një zgjidhje afatgjate për problemet në mes dy vendeve.
Kështu ka shtjelluar Bodo Weber, ekspert për Ballkanin dhe bashkëpunëtor i lartë i Këshillit për Politikat e Demokratizimit në Berlin, në një analizë të publikuar të hënën më 27 shkurt.
Kjo analizë është publikuar disa orë para se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pritet të takohen në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, shkruan REL.
Weber e ka kritikuar propozimin e Bashkimit Evropian për Kosovën dhe Serbinë që është iniciuar nga Franca dhe Gjermania.
Ky propozim u është dorëzuar palëve vitin e kaluar dhe është pranuar nga Kurti dhe Vuçiq.
Megjithatë, ai nuk është bërë publik.
REL ka pasur qasje në një draft, në të cilin, nuk përmendet në mënyrë specifike njohja reciproke, por parashihen të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektimi i integritetit territorial, paprekshmëria e kufijve, njohja e simboleve shtetërore dhe një aranzhim i veçantë për komunitetin serb në Kosovë.
Weber ka kritikuar faktin se ky propozim, në formën e tanishme, nuk ka synim përfundimtar arritjen e njohjes reciproke në mes Kosovës dhe Serbisë duke thënë se “propozimi aktual përfaqëson një marrëveshje të ndërmjetme që është e dizajnuar keq dhe është vështirë e definueshme”.
Sipas kësaj analize, nëse marrëveshja nënshkruhet dhe zbatohet do të ketë disa rezultate të shpejta për Kosovën që përfshin pranimin e Kosovës në disa organizata ndërkombëtare si Këshilli i Evropës, Organizata Ndërkombëtare e Policisë Kriminale (INTERPOL), e të tjera.
Megjithatë, sipas Weber, kjo “do të dështonte në perspektivën afatgjatë, për shkak të mungesës të një masterplani strategjik dhe një udhërrëfyesi që definon qartë hapat e mbetur deri në rezultatin përfundimtar – njohjen e Kosovës nga Serbia”.
“Propozimi i Brukselit nuk ofron zgjidhje praktike dhe të qëndrueshme për integrimin e serbëve të Kosovës në Republikën e Kosovës. Kjo do të forconte kontrollin e Beogradit mbi serbët e Kosovës”, u tha në analizë.
Ndryshe, sot, Kurti do të udhëtojë në Bruksel, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, ku do të jetë prezent edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Siç dihet, marrëveshja është e gatshme dhe se nuk do të diskutohet fare për përmbajtjen e saj. Këtë e ka konfirmuar emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, i cili ka bërë të ditur se do të diskutohet vetëm për planin e zbatimit.
Kosovës dhe Serbisë i është kërkuar që ta pranojnë planin evropian, në të kundërtën, sipas ndërkombëtarëve, do të ketë pasoja për të dyja vendet, kurse në rast pranimi, sipas tyre, do të ketë benefite për të dyja vendet.
Fillimisht, kryediplomati i BE-së, Josep Borell, do të ketë takime të ndara me të dy liderët, i shoqëruar nga i dërguari i posaçëm i bllokut evropian për këtë proces, Miroslav Lajçak.
Më vonë do të zhvillohet takimi i përbashkët.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, një ditë para takimit që do të mbahet në Bruksel, ka pranuar një letër të përbashkët nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz dhe kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, në lidhje me propozimin evropian.
Në këtë letër ata i kanë mirëpritur deklarimet publike të kryeministrit Kurti, sa i përket propozimit evropian.
Në letrën e përbashkët është kërkuar edhe zbatimi i obligimeve të marra nga palët në dialog, përfshirë edhe krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Marrëveshja në rast se pranohet, do të jetë ligjërisht e obligueshme për të dyja palët. Ajo se çfarë dihet është se plani evropian nuk e ka brenda njohjen reciproke dhe se nuk është marrëveshja finale që do ta përmbyllte dialogun.