Deputeti i VV-së, Haki Abazi, ka thënë se pranimi i çfarëdo marrëveshjeje me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, do të ishte “vetëvrasje e menjëhershme politike”.
Sipas Abazit, edhe mospranimi i planit franko-gjerman është “vetëvrasje e ngadaltë politike”.
Kurti, gjatë ditës së hënë, do të takohet me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq. Tema e bisedimeve është plani evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
“Në ankthin e paguxueshmërisë dhe finales pa epilog. Pranimi i çfarëdo marrëveshjeje me asociacionin e çfarëdo emërtimi, do të ishte vetëvrasje e menjëhershme politike. Mospranimi i planit Franko-Gjerman është vetëvrasje politike e ngadaltë politike. Me shumë pasoja”, ka shkruar Abazi në Facebook.
Abazi theksoi se “çfarë në fakt ka ndodhur për dy vite dialog për të arritur këtu ku vendi është sot. Rikonfirmim i 2013 apo izolim e ndëshkim…shumëçka, por mbi të gjitha, sot, AUK duhet të shtrojë shumë pyetje, sidomos nëse fati i procesit mund të udhëhiqet bazuar në preferenca personale”.