Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u prit pasditen e së hënës në Bruksel, nga shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Takimi, i cili nisi në ora 15:00, po zhvillohet në kuadër të procesit për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Dy diplomatët perëndimorë do të presin më pas presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndërsa pas takimeve dypalëshe, do të zhvillojnë një takim të përbashkët me Kurtin e Vuçiqin.
Në Bruksel ndodhet edhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili do të duhej t’i takonte palët veç e veç, përpara takimit të përbashkët.
BE e konsideron takimin e gjashtë mes Kurtit dhe Vuçiqit si më të rëndësishmin, sepse, kësaj here, sipas burimeve në Bruksel, nuk do të ketë diskutime për menaxhimin e krizave, por për një dinamikë të re të raporteve.
Të dyja palët pritet të arrijnë pajtueshmëri për propozimin e BE-së, si një “marrëveshje bazë” për normalizimin e raporteve.
Këtë propozim e përkrahin edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Burimet e BE-së në Bruksel kanë thënë në prag të këtij takimi se presin që Kurti dhe Vuçiq ta pranojnë propozimin pa diskutime të mëtejme.
Pikë debati pritet të jetë vetëm një aneks për implementimin e pikave të marrëveshjes.