Pas raundit të parë takimeve në mes të Shefit të politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe të dërguarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, njëherë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, e më pas me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, tashmë ka nisur takimi i përbashkët.
Kështu ka njoftuar Drejtori i Informacionit të RTV Dukagjinit, Dibran Istrefi, i cili po qëndron në Bruksel për të raportuar lidhur me ngjarjen.
Borrell e Lajçak, fillimisht u takuan me Kurtin e më pas me Vuçiqin.
Kosovës dhe Serbisë i është kërkuar që ta pranojnë planin evropian, në të kundërtën, sipas ndërkombëtarëve, do të ketë pasoja për të dyja vendet, kurse në rast pranimi, sipas tyre, do të ketë benefite për të dyja vendet.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, një ditë para takimit në Bruksel, ka pranuar një letër të përbashkët nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz dhe kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, në lidhje me propozimin evropian.
Në këtë letër, ata i kanë mirëpritur deklarimet publike të kryeministrit Kurti, sa i përket propozimit evropian.
Në letrën e përbashkët është kërkuar edhe zbatimi i obligimeve të marra nga palët në dialog, përfshirë edhe krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
Marrëveshja në rast se pranohet do të jetë ligjërisht e obligueshme për të dyja palët. Ajo se çfarë dihet është se plani evropian nuk e ka brenda njohjen reciproke dhe se nuk është marrëveshja finale që do ta përmbyllte dialogun.