Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, pas takimit në Bruksel, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u pajtua me propozimin evropian mbi normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Sipas tij, kjo marrëveshje nuk është finale dhe nuk e përmban njohjen e ndërsjellë.
Për më tepër ajo mban ambiguitet interpretues mbi statusin politik të dy shteteve, thotë Abdixhiku në një postim në Facebook.
“Nga deklarimi i kryeministrit mbi këtë marrëveshje tashmë të dakorduar, por ende të paprezantuar në Kuvendin e Kosovës, u vërtetuan brengat e LDK-së, të bëra tashmë publike. Gjithçka përveç njohjes – ishte qëllimi i Serbisë. Gjithçka përveç njohjes ka kjo marrëveshje sot, tashmë e pranuar nga palët”.
Sipas tij, dokumenti i pranuar po ashtu parasheh implementimin e të gjitha marrëveshjeve paraprake – përfshirë dhe Asociacionin – si dhe statusin e veçantë për Kishën Ortodokse Serbe.
“Kryeministrit i ka mbetur vetëm ta dakordojë datën e themelimit te Asociacionit, meqë ai, me pranimin e zbatimit të marrëveshjeve paraprake, ka pranuar që ta themelojë atë”, shtoi ai.
LDK konsideron se menaxhimi “tërësisht i gabuar” i procesit të dialogut nga kryeministri i Kosovës përgjatë dy viteve të fundit, “ka zhvendosur procesin e dialogut nga një marrëveshje përfundimtare e ligjërisht të obligueshme në një marrëveshje bazë, pa njohje në të dhe me vazhdimësi dialoguese për vitet e ardhshme”.
Përfundimi në mes të zgjedhjes së një marrëveshje të tillë dhe izolimit eventual të Kosovës janë përgjegjësi e këtij kryeministri, tha kreu i LDK-së.