Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka quajtur arritje të madhe, dakordimin për ta pranuar propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Me anë të një postimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se marrëveshja është pranim faktik i pavarësisë së Kosovës.
“Pajtimi për ta pranuar propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, është një e arritur e madhe. Marrëveshja është pranim faktik i pavarësisë së Kosovës, e cila i rikthehet normalitetit politik e të sigurisë, perspektivës integruese euro-atlantike e njohjeve te reja”, ka shkruar Haradinaj.
Sipas tij, po aq e rëndësishme mbetet edhe faza vijuese e bisedimeve për çështjet tjera të hapura.
“Për të cilat dua të besoj se do te gjenden zgjidhjet më të mira, me çka do të përmbyllej edhe kapitulli i njohjes ‘de jure’ midis Kosovës dhe Serbisë”, shtoi ai.