Dakordimi për të vazhduar me bisedimet për planin e zbatimit të propozimit evropian në takimin e 27 shkurtit në Bruksel, në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, po shihet si një arritje e rëndësishme për Kosovën në rrugën e saj drejt perspektivës evropiane dhe forcimit të statutit ndërkombëtar.
Avokati i akredituar nga Gjykata Speciale, Taulant Hodaj, për Portalin Dukagjini, ka komentuar propozimin evropian, i cili ka thënë se kjo marrëveshje në krahasim me marrëveshjet e tjera është një ndër marrëveshjet që Kosova avancohet shumë më shumë në raport me Serbinë.
Ai ka komentuar nenin 2 të këtij propozimi, ku ka thënë se ky nen rrjedh nga Karta e Kombeve të Bashkuara dhe se promovon barazi në mes të dyja palëve.
“Neni 2 është kryesor që e ndalon Serbinë që të ketë pretendime territoriale, ta pengojë Kosovën në anëtarësim në organizata ndërkombëtare, është njohje de-facto, por normal nuk është njohje juridike reciproke, por është avancim i madh në krahasim me raportet me Serbinë dhe integrimin e Kosovës në sistemet euroatlantike”, ka thënë Hodaj.
Ndërsa, sa i përket nenit 10, ai ka thënë se thuhet se obligohen që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e kaluara, por, sipas tij, duhet të kenë kujdes që Asociacioni të jetë në përputhje me legjislacionin në tërësi, e jo vetëm me Kushtetutën e Kosovës, si rasti i Gjykatës Speciale.
“Për të gjitha marrëveshjet, Asociacioni është që duhet të ketë kujdes që të jetë në përputhshmëri komplet me legjislacionin, pasi kemi rast konkret, Gjykata Speciale i përmbahet Kushtetutës së Kosovës”, ka vijuar Hodaj.
Sipas Hodajt, në tërësi ky propozim është marrëveshje e mirë për Kosovën, pasi Serbia ndalohet që Kosovën ta pengojë në anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe përfshihet njohje de-facto. “Kosova duhet të dijë ta shfrytëzojë këtë marrëveshje, pasi mund të marrë shumë njohje edhe nga shtete që s’e kanë njohur dhe anëtarësime në organizata ndërkombëtare”.
Ndërkaq, njohësi i çështjeve politike, Azem Vllasi, ka thënë se ky plan evropian është më shumë një hartë e hapave të mëtutjeshëm, ku duhet të arrihen marrëveshje për disa çështje konkrete.
Vllasi ka thënë se neni 7 i marrëveshjes propozon që pozita e pakicave, si pakica serbe në Kosovë, të rregullohet sipas standardeve dhe praktikave evropiane.
“Pika 7 e planit… në fakt sugjeron që pozita e pakicave, pra edhe e pakicës serbe në Kosovë, të rregullohet sipas standardeve dhe praktikave evropiane. Pra, kjo duhet të vlejë edhe për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Të shihet nëse në shtetet evropiane ka të tilla Asociacione të Komunave me shumicë të pakicave dhe nëse kjo çështje rregullohet me norma të brendshme apo me marrëveshje të posaçme me shtetin amë të këtyre pakicave. Me sa unë di, të drejtat dhe pozita e pakicave rregullohen me kushtetutë dhe ligjeve të brendshme, e jo me marrëveshje bilaterale mes shtetit, ku pakicat jetojnë dhe shtetit amë të tyre. Mendoj se është mirë të shihet përvoja e Belgjikës me një pakicë gjermane në pjesën lindore të këtij shteti”, ka thënë Vllasi.
Ndërkaq, sa i përket Kishës Ortodokse Serbe, Vllasi ka thënë se statusi, objektet dhe pronat e saj që gjenden përreth kishave e manastireve, duhet të rregullohen dhe të mbrohen me ligj të Kosovës.
“Kosova është shtet laik ku të gjitha besimet janë të lira, u garantohet siguria e objekteve dhe pronave që bashkësitë fetare kanë. Nuk duhet veçuar asnjërën. Por, sidoqoftë ndoshta për kishën serbe duhet të shikohen përvojat e Kroacisë, të Hungarisë e ndoshta edhe të Maqedonisë. Sidoqoftë, pika 7 nuk do të vijë shpejt në rend për shqyrtim dhe rregullim”, ka vijuar ai.
Ndërkaq, Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka thënë se neni 7 i planit evropian përcakton përkushtimin e të dyja palëve për t’u angazhuar së bashku, lidhur me çështje te brendshme të Republikës së Kosovës në fusha që lidhen me vetëqeverisjen lokale të komunitetit serb në Kosovë dhe formalizimit të statusit të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë.
“Përderisa, pjesa e parë e këtij neni flet për të siguruar një nivel të përshtatshëm të vet menaxhimit të komunitetit serb në Kosovë në pajtim me instrumentet e Këshillit të Evropës, përfshirë mundësinë e mbështetjes financiare të Serbisë për serbët lokalë në Kosovë dhe ndërtimit të një kanali të drejtpërdrejtë të komunikimit të këtij komuniteti me qeverinë e Kosovës. Karakteristikë e këtij neni është gjuha e përdorur dykuptimëshe dhe është vështirë të kuptohet nëse vetëmenaxhimi ndërlidhet me kompetencat aktuale që i kanë komunat me shumicë serbe në Kosovë apo ndërlidhet me Asociacionin”, ka thënë Miftaraj.
Sipas tij, nëse neni 7 dhe neni 10 lexohen si të ndara që rregullojnë dy fusha të ndryshme, atëherë kjo pjesë e nenit 7 do të duhej të nënkuptonte garancionet që mund t’i ofrojë Republika e Kosovës për të ruajtur dhe siguruar të drejtat, të cilat i gëzojnë komunat me shumicë serbe si entitet dhe për të siguruar që këto të drejtat të zbatohen në praktikë përmes një komunikimi më të drejtpërdrejtë me qeverinë e Republikës së Kosovës.
“Do të thotë, ky nen nuk duhet të lexohet ose nënkuptohet që lidhet me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, i cili obligim rrjedh nga neni 10 i marrëveshjes së bashku edhe me 32 marrëveshjet e tjera, të cilat janë obligim për t’u zbatuar nga Kosova dhe Serbia”, ka vijuar ai.
Miftaraj ka theksuar se pjesa e dytë e nenit 7 ndërlidhet me një qasje të re dhe marrje e obligimeve shtesë nga Republika e Kosovës, lidhur me statusin e kishës ortodokse serbe dhe një nivel të lartë të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore dhe fetare serbe në Kosovë.
“Nëse merret si referencë rasti i fundit në Mal të Zi, ku kryeministri Abazoviq dhe qeveria e tij ofruan statusin special të Kishës Ortodokse në Mal të Zi, ky status u përfshi në dy rrafshe në atë të ofrimit të ekstraterritorialitetit për kishën serbe dhe statusin ligjor të kishës në raste të caktuara, njëjtë me institucionet kushtetuese. Dallimi në mes të Kosovës dhe Malit të Zi është i madh, pasi në Mal të Zi, popullata serbe është afërsisht 30%, kurse në Kosovë as 4% dhe fakti tjetër se në Kosovë, sipas Kushtetutës dhe Ligjit, Kosova është e obliguar të trajtojë në mënyrë të barabartë të gjitha besimet fetare në Kosovë, dhe trajtimi special i kishës ortodokse mund të ketë ndikim negativ te komuniteti mysliman, katolik, protestant, etj”, ka theksuar ai.
Për Miftarajn, Kosova nuk ka mekanizëm kushtetues për vlerësim të marrëveshjeve ndërkombëtare, siç ka ndodhur në rastin e 2013, ndërsa për Asociacionin, kjo është paraparë në vetë marrëveshjen ndërkombëtare, dhe, për atë arsye, shkon dhe duhet të shkojë për vlerësim edhe statuti themeltar.
Ndryshe, propozimi që palëve iu dorëzua shtatorin e kaluar, u pranua në parim gjatë takimit të 27 shkurtit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në praninë e ndërmjetësuesve evropianë.
Ky propozim titullohet “Marrëveshja drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë”.
Përparimi drejt zbatimit të propozimit, sipas BE-së, do të bëhet përmes udhëtimeve që pritet të realizojë në Kosovë dhe Serbi i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Pas takimit Kurti-Vuçiq, shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, ka thënë se “Jam i sigurt se Miroslav Lajçak do të vazhdojë udhëtimet në Kosovë dhe Serbi dhe para takimit të Këshillit Evropian – në mes të marsit dhe në fund të marsit – ne të mund të finalizojmë të gjithë punën”.
Ai ka thënë se Kurti dhe Vuçiq e pranuan propozimin evropian dhe u pajtuan se nuk ka nevojë për bisedime të mëtejme.
“Palët kanë shprehur gatishmërinë e tyre që të vazhdojnë me zbatimin e marrëveshjes”, tha Borrell dhe shtoi se “negociata të mëtejme ende duhet të bëhen për të përcaktuar modalitetet specifike të zbatimit e dispozitave të marrëveshjes”.
Çfarë përmban propozimi evropian?
Bashkimi Evropian ka publikuar tekstin e plotë të propozimit evropian.
Përmbajtjen ekskluzive të këtij dokumenti e kishte siguruar Dukagjini.com, më 14 shkurt të vitit 2023.
Ky propozim – drafte të të cilit kishin qarkulluar që nga viti i kaluar, kur iu dorëzua palëve – ka 11 nene, që synim kryesor ka të arrihet marrëdhënie normale të fqinjësisë së mirë mes Kosovës dhe Serbisë, mbi bazë të drejtave të barabarta.
Propozimi synon që palët të respektojnë të drejtat sovrane të njëra-tjetrës, pavarësinë, autonominë, sovranitetin, integritetin territorial, të drejtën e vetëvendosjes dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mosdiskriminimin.
Aty, po ashtu, parashihet njohja e simboleve dhe dokumenteve relevante, që do të mundësonin qarkullimin e lirë të njerëzve dhe mallrave.
Sa u përket të drejtave të komunitetit serb në Kosovë – që është komunitet joshumicë – propozimi parasheh mbrojtjen e tyre.
Po ashtu, thuhet se duke pasur për bazë instrumentet e Këshillit Evropian dhe përvojat ekzistuese evropiane, palët do të përkushtohen që ky komunitet të ketë një nivel të përshtatshëm të vetëqeverisjes në Kosovë, si dhe të gëzojë të drejtën e ndihmës financiare nga Serbia.
Po ashtu, me këtë propozim, palët pajtohen që të mos e pengojnë njëra-tjetrën, kur bëhet fjalë për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.
Deklaratat e Kurtit dhe Vuçiqit pas takimit
Zyra e Kryeministrit ka dhënë detaje për takimin e 27 shkurtit në Bruksel, në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
Në njoftimin e ZKM-së thuhej se pas takimit bilateral me përfaqësuesin e lartë, Borrell dhe emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak, u zhvillua takimi trilateral, pas të cilit, Kosova është treguar e gatshme të nënshkruajë “Marrëveshjen Bazë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, por është refuzuar nga Serbia.
Po ashtu, thuhet se është arritur dakordimi që teksti i propozimit të BE-së, mbështetur nga Gjermania, Franca, Italia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të mos ndryshojë.
Tutje, thuhet se, edhe pse Serbia nuk është treguar e gatshme ta nënshkruajë propozimin, palët do të nisin bisedimet për planin e zbatimit.
“Palët do të fillojnë bisedimet për planin e zbatimit. Ky plan duhet të përmbajë detaje konkrete dhe të jetë gjithëpërfshirës, të ofrojë efektivitet në zbatim dhe të jetë i sekuencuar në mënyrë të balancuar”, thuhet tutje.
Po ashtu, thuhet se marrëveshja e arritur në këtë takim është mes palëve që e njohin njëra-tjetrën si të barabarta, dhe është arritur mbi bazën e respektimit të barazisë sovrane të shteteve, respektimit të pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial të tyre.
“Marrëveshja, mes të tjerash, siguron edhe njohjen e ndërsjellë të dokumenteve dhe simboleve shtetërore mes Kosovës dhe Serbisë, vendosjen e misioneve të përhershme, si dhe garanton se asnjëra palë nuk e përfaqëson apo vepron në emrin e tjetrës në sferën ndërkombëtare. Me këtë marrëveshje, Serbia po ashtu obligohet të mos pengojë apo kundërshtojë anëtarësimin e Republikës së Kosovës në cilëndo organizatë ndërkombëtare”.
Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kishte thënë se “Në radhë të parë është Asociacioni i Komunave serbe”.
Për Vuçiqin ishte një takim “i vështirë”, dhe, sipas tij, takimi nuk kishte të bënte me pranimin apo mospranimin e propozimit.
“Unë pres ta shoh planin e zbatimit, para së gjithash planin e zbatimit të obligimeve të mëparshme”, kishte thënë ai, duke shtuar se ende duhet të punohet në udhërrëfyes.
Propozimi evropian thuhet se përfaqëson një hap drejt normalizimit, që pritet të çojë drejt një marrëveshjeje ligjërisht të detyrueshme gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve.
Takimi i radhës i liderëve të Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të dialogut, do të mbahet në Ohër më 18 mars.