Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, e ka mirëpritur pranimin e planit të BE-së, nga Kosova dhe Serbia.
Ajo ka thënë se për një gjë të tillë është dashur guxim e vullnet politik.
“E mirëpres ngrohtësisht pranimin e Propozimit të BE-së – Marrëveshja për rrugën e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Duhet guxim, vullnet politik dhe lidership për të arritur marrëveshje”, ka thënë ajo.
Von Cramon është shprehur se pret nënshkrim të shpejtë të planit të zbatimit të marrëveshjes, sepse sipas saj kjo do të bëjë që integrimi në BE të zhbllokohet.
“Prandaj pres negociata konstruktive dhe nënshkrim të shpejtë të Udhërrëfyesit të Zbatimit të aneksuar në këtë marrëveshje, pasi ajo do të zhbllokojë me të vërtetë perspektivën e anëtarësimit në BE”, ka thënë ajo.
Zyra e Kryeministrit ka dhënë detaje për takimin e 27 shkurtit në Bruksel në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
Në njoftimin e ZKM-së, thuhet se pas takimit bilateral me përfaqësuesin e lartë, Borrell, dhe emisarin e BE-së Miroslav Lajçak, u zhvillua takimi trilateral pas të cilit Kosova është treguar e gatshme të nënshkruajë “Marrëveshjen Bazë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, por është refuzuar nga Serbia.
Po ashtu, thuhet se është arritur dakordimi që teksti i propozimit të BE-së, mbështetur nga Gjermania, Franca, Italia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të mos ndryshojë.
Tutje thuhet se, edhe pse Serbia nuk është treguar e gatshme ta nënshkruajë propozimin, palët do të nisin bisedimet për planin e zbatimit në mars.