Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, i ka përkujtuar viktimat në 25-vjetorin e betejës së Likoshanit dhe asaj të Qirezit, ku u masakruan 24 shqiptarë.
“25 vjet nga Beteja e Likoshanit dhe Qirezit, ku forcat policore e paramilitare serbe, në pamundësi të ballafaqimit me njësitet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kryen një nga masakrat më të tmerrshme në rajonin e Drenicës, duke vrarë në mënyrën më barbare burra, gra e pleq të paarmatosur”, ka thënë ai.
Krasniqi u shpreh se sakrifica e dëshmorëve ka bërë që Kosova të jetë e lirë.
“Sot, me kolegë e bashkëpunëtorë nga Partia Demokratike e Kosovës, bëmë homazhe në kompleksin e varrezave të dëshmorëve dhe martirëve të Likoshanit dhe Qirezit, për të nderuar sakrificën dhe flijimin e atyre që ranë heroikisht, që ne ta gëzojmë jetën në Kosovën e lirë”, është shprehur ai.
Të martën e 28 shkurtit bëhen 25 vjet nga fillimi i luftës në Kosovë, e cila nisi në fshatrat e Drenicës, Likoshan dhe Qirez, ku te vendi i quajtur “Te tre lisat” u zhvilluan luftimet mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe forcave kriminale serbe.
Në luftimet e zhvilluara mbetën të vrarë disa policë serbë.
Si pasojë e kësaj, forcat e armikut rrethuan të dy fshatrat, ku ekzekutuan 24 civilë të pafajshëm të nacionalitetit shqiptar.