Ylli i hitit “Meant to Be”, Bebe Rexha, do të performojë në ceremoninë e ardhshme të ndarjes së çmimeve “Nickelodeon Kids’ Choice Awards”, e cila mbahet më 4 mars në teatrin “Microsoft” në Los Angeles.
Rexha do ta interpretojë hitin e saj global, “I’m Good (Blue)”, një bashkëpunim me producentin e njohur, David Guetta.
Nga momenti i lansimit, kënga ka shënuar suksese të jashtëzakonshme duke u pozicionuar në vendin e katërt të toplistës “Billboard Hot 100”, muajin e kaluar.
Po ashtu ia fitoi artistëve një nominim për çmim “Grammy” në kategorinë “Bashkëpunimi më i mirë i muzikës dance/electronic”.
Javën e kaluar, Rexha e publikoi videoprojektin e ri me titull, “Heart Wants What It Wants”, i cili është pjesë e albumit të tretë të incizuar në studio të këngëtares.
Ajo po ashtu e ka paralajmëruar turneun e ri nëpër Amerikën Veriore, “Best F*N Night Of My Life Tour”, i cili fillon më 31 maj.
Ceremonia “Kids’ Choice Awards” ka një histori të performancave nga artistë të mëdhenj të muzikës pop. Kid Cudi dhe Jack Harlow interpretuan në edicionin e vitit të kaluar.
Justin Bieber performoi në ceremoninë e vitit 2020, i shoqëruar në skenë nga reperi Quavo, për interpretimin e hitit “Intentions”.
Shumë artistë të famshëm janë rritur duke e ndjekur këtë ceremoni dhe kanë dashuri për të.
“Unë gjithmonë e kam pëlqyer ngjarjen ‘Nickelodeon Kids’ Choice Awards’. Mezi pres të performojë dhe të shoh se kush do të jetë viktima e radhës që do të zhytet në xhelatinën e gjelbër, që është karakteristikë e këtij shou”, deklaroi Rexha përmes një komunikate për media.
Ngjarja e sivjetme do të transmetohet drejt për drejt në kanalet, “Nickelodeon”, “TeenNick”, “Nicktoons”, “Nick Jr.”, “TVLand”, “CMT” dhe “MTV2”.
Shou vjen i prezantuar nga ylli i rrjeteve sociale, Charli D’Amelio, dhe komentatori i futbollit Nate Burleson. Po ashtu pritet pjesëmarrja e yjeve tjerë nga bota e filmit dhe muzikës.