Në vazhdën e reagimeve të shumta që ngjalli marrëveshja për planin evropian, ka reaguar edhe deputeti i LVV-së, Haki Abazi, i cili e ka kritikuar ashpër kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Abazi e ka akuzuar Kurtin për mungesë të sinqeritetit dhe për pranim të “Zajdenicës”.
“Po z. Kurti, këtu ndahen rrugën tona përfundimisht. Ti ke vazhduar në rrugën e njejtë me ata që janë opozitë- konfidenciale”, ka shkruar ai.
Abazi ka thënë se Kurti nuk është ndryshimi por vetëm vazhdimësi e së kaluarës.
“Dmth z. Kurti ju jeni vazhdimësia e së kaluarës, ju nuk jeni ndryshimi. Luftën për të eliminuar njerëzit potencial për të udhëhequr me vendin ata e bënë me tytën e pushkës dhe revoles duke i dërguar në varr, Ju keni adoptuar luftën speciale, ushtrinë e facebook dhe rrjetet sociale për të eliminuar, këdo që nuk i nënshtrohet liderit suprem”, ka thënë ai.
Tutje, ai ka thënë se Kurti është duke i mbajtur afër njerëzit e korruptuar dhe duke i larguar aktivistët e devotshëm të LVV-së.
“E ke rrethuar veten me njerëzit e pushteteve të kaluara, me vepra penale, nënshkrues të demarkacionit dhe marrëveshjeve të vitit 2013 dhe 2015. Ke përjashtuar aktivistët dhe përkrahësit më të devotshëm dhe po i mbron e po i mbanë afër njerëzit e korruptuar, ata që e shkatërruan urbanizmin, privatizuan e përfituan, dhanë leje për kompensim me vila”, ka thënë ai.