Të paktën 650 vajza janë helmuar me gaz toksik në Iran, që nga nëntori, në atë që shumë besojnë se është një përpjekje për t’i detyruar shkollat e tyre që të mbyllen.
Asnjë nga vajzat e helmuara nuk kanë vdekur, mirëpo dhjetëra prej tyre kanë vuajtur nga problemet me organet e frymëmarrjes, marramendja dhe lodhja.
“Është evidente që disa njerëz donin që të gjitha shkollat, e posaçërisht ‘shkollat e vajzave’ të mbylleshin”, ka thënë zëvendësministri i Shëndetësisë, raporton BBC-ja.
Megjithatë, ai më vonë tha se komentet e tij ishin keqinterpretuar.
Prokurori i Përgjithshëm njoftoi javën e kaluar se po niste një hetim penal, por tha se informacioni i disponueshëm tregonte vetëm “mundësinë e veprimeve kriminale dhe të paramenduara”.
Ndërkohë, zhgënjimi publik po vazhdon të rritet.
Helmimi i parë ndodhi më 30 nëntor, kur 18 nxënëse nga Shkolla Teknike “Nour” u dërguan në spital. Që atëherë, më shumë se 10 shkolla për vajza janë vënë në shënjestër në krahinën përreth.
Të paktën 194 vajza raportohet se janë helmuar gjatë javës së kaluar në katër shkolla në qytetin e Borujerdit, në provincën perëndimore të Lorestanit.
Vajzat e helmuara kanë raportuar erën e mandarinës apo peshkut të kalbur përpara se të sëmuren.
Disa prindër kanë thënë se fëmijët e tyre ishin të sëmurë për javë të tëra pas helmimit.
Të tjerë kanë spekuluar se helmimet janë vepër e forcave të vijës së ashpër që duan të “kopjojnë” talebanët në Afganistan dhe grupin militant islamik Boko Haram në Nigeri duke terrorizuar prindërit për të ndaluar dërgimin e vajzave të tyre në shkollë.
“A ka ardhur Boko Haram në Iran?” Ish-zëvendëspresidenti Mohammad Ali Abtahi pyeti në një postim në Instagram.
Politikani reformist paralajmëroi gjithashtu se “ekstremistët do të interpretojnë kufijtë e qeverisë dhe fesë në favor të tyre”.
Udhëheqësit e Iranit kanë refuzuar tradicionalisht kritikat për kufizimet e tij ndaj grave, siç është shamia e detyrueshme, dhe në vend të kësaj mburren me numrin e grave që ndjekin universitetin. Por nëse vajzat e reja nuk mbarojnë shkollën, universiteti është vetëm një ëndërr.
Komentet e një nxënëseje, e cila thotë se është helmuar dy herë, në takimin me guvernatorin e Qomit në fillim të këtij muaji, theksuan se sa të paqarta dhe mashtruese kanë qenë disa nga deklaratat nga autoritetet.
“Ata [zyrtarët] na thonë: “Gjithçka është mirë, ne kemi bërë hetimin tonë”. Por kur babai im pyeti në shkollën time, ata i thanë: ‘Më falni, kamera ka një javë që nuk funksionon dhe ne nuk mund ta hetojmë këtë’, tha ajo.
“Dhe kur u helmova për herë të dytë të dielën, drejtoresha e shkollës tha: “Ajo ka sëmundje të zemrës, prandaj është shtruar në spital”. Por unë nuk kam asnjë sëmundje të zemrës!”.