Krytari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, është shprehur mirënjohës dhe falënderues për angazhimin e ShBA-ve në mbështetje të Kosovës, në të gjitha fazat e lirisë dhe të shtetndërtimit.
“Kontributi amerikan ishte i një rëndësie jetike edhe për pranimin e propozimit të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, që është edhe garancë sigurie dhe prosperiteti për vendin”, ka thënë Haradinaj.
I pari i AAK-së ka shtuar se propizmi evropian e ka marrë mbështetjen e tij dhe të partisë së, sepse, sipas tij, kanë vlerësuar se shënon një kapitull të rëndësishëm për njohjen edhe ‘de jure’ të Kosovës.
“Vlerësoj se kjo ka qenë më e mira e mundshme. Kjo mbështetje është bërë ekskluzivisht për vendin dhe pa kurrfarë kalkulimi elektoral”, ka shtuar ai.
Haradinaj ka theksuar se të tilla momente janë jetike për të ardhmen e Kosovës, “prandaj kërkohet një unitet politik, i cili në asnjë rrethanë nuk mund të kuptohet si mbështetje për individin”.
“Gjithmonë do të kemi kohë t’i diskutojmë kusuret e kryeministrit dhe të qeverisjes së tij katastrofike në planin e brendshëm. Natyrisht, mbetet edhe shumë punë për t’u bërë, në mënyrë që krejt ky proces kaq i rëndësishëm të mos degradojë e të finalizohet me sukses”, ka potencuar Haradinaj.
Kryetari i AAK-së ka shtuar se kjo kërkon kujdes e përgjegjësi, “që të sqarohen e të adresohen gjitha shqetësimet e mundshme të opinionit publik që kanë të bëjnë me aneks-marrëveshjen, e cila ende nuk është bërë publike”.
“Unë kam besim në ShBA-të dhe në aleatët perëndimorë, se do të na ndihmojnë si edhe deri sot, që ta përmbyllim marrëveshjen që garanton Kosovën shtet të pavarur e sovran dhe me perspektivë të qartë integruese euroatlantike”, ka thënë tutje kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.