Ekipet e shpëtimit nxorën shumë trupa nga deti më 28 shkurt, duke bërë që numri i viktimave në tragjedinë e fundit me migrantë në Itali të arrijë në 65.
Prokurorët janë në proces të identifikimit të kontrabandistëve të dyshuar, që supozohet se kanë marrë 8.000 euro për çdo person që ka ndërmarrë “udhëtimin e vdekjes” nga Turqia për në Itali.
Autoritetet i kanë dhënë më shumë kohë procesit të identifikimit të trupave, pasi familjarët dhe miqtë kanë arritur në qytetin Krotone të Kalabrisë, me shpresën që të gjejnë më të dashurit e tyre, disa prej të cilëve janë nga Afganistani.
“Po kërkoj tezen time dhe tre fëmijët e saj”, tha Aladdin Mohibzada, që shtoi se ai ka vozitur 25 orë nga Gjermania për të arritur te morgu i improvizuar në një stadium sportiv. Ai tha se kishte kuptuar se tezja dhe dy fëmijët e saj kanë vdekur, por fëmija tjetër 5 vjeç ka shpëtuar dhe është duke u strehuar në një qendër për të mitur.
“Ne po shikojmë për mundësitë që t’i dërgojmë [trupat e pajetë] në Afganistan, pasi trupat janë këtu”, tha ai për Associated Press teksa po qëndronte jashtë morgut. Por, ai u ankua se ka mungesë të informacioneve, pasi autoritetet po përpiqen që të merren me këtë tragjedi. “Ne jemi të pashpresë. Nuk dimë se çfarë duhet të bëjmë”.
Të paktën 65 persona, përfshirë 14 të mitur, vdiqën pasi anija prej druri, e stërmbushur me njerëz, me të cilën po udhëtonin hasi në një cekëtinë 100 metra larg bregdetit në Kruto dhe më pas anija u shkatërrua nga valët e detit mëngjesin e së dielës. Tetëdhjetë persona kanë shpëtuar, por shumë persona besohet se kanë vdekur pasi të mbijetuarit kanë lënë të kuptohet se anija po bartte afër 170 persona kur u nis javën e kaluar nga Izmiri i Turqisë.
Grupet e ndihmës, që janë në vendin e ngjarjes, thanë se shumë nga pasagjerët ishin nga Afganistani, përfshirë edhe familje të tëra. Anija po transportonte edhe qytetarë të Pakistanit, Sirisë dhe Irakut.
Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, u ka dërguar një letër liderëve evropianë duke iu kërkuar veprim të shpejtë për të zgjidhur problemin afatgjatë të kontinentit me migrantë. Ajo ka insistuar se migrantët duhet të ndalohen që të rrezikojnë jetën e tyre duke bërë kalime të rrezikshme të detit.
“Çështja është se sa më shumë njerëz që të nisen, më shumë njerëz rrezikojnë të vdesin”, tha ajo më 27 shkurt për televizionin shtetëror, RAI.
Qeveria e krahut të djathtë e Melonit, që fitoi zgjedhjet vitin e kaluar me premtimin se do të ndalte migrantët, është përqendruar në ndërlikimin e përpjekjeve të anijeve humanitare që bëjnë shumë operacione shpëtimi në Mesdheun Qendror. Qeveria u cakton anijeve humanitare porte të zbarkimit përgjatë brigjeve veriore të Italisë. Kjo nënkupton se anijeve u duhet më shumë kohë për t’u kthyer në det pasi të kenë zbarkuar emigrantët e shpëtuar nga deti.
Por, anijet e shpëtimit të grupeve të ndihmës normalisht nuk operojnë në zonën ku u fundos anija të dielën, buzë brigjeve të Kalabrisë në detin Jon. Përkundrazi, grupet e ndihmës përgjithësisht veprojnë në Mesdheun Qendror, duke shpëtuar migrantët që nisen nga Libia dhe Tunizia, jo nga Turqia në Mesdheun Lindor.
Prokurori në Kroton, Giuseppe Capoccia, konfirmoi se hetuesit kanë identifikuar tre kontrabandistë të dyshuar, një turk dhe dy pakistanezë. Një turk tjetër besohet se ka ikur apo ka vdekur gjatë fundosjes së anijes.
Policia kufitare e Italisë tha përmes një deklarate se organizatorët e këtij udhëtimi morën nga 8.000 euro nga secili person që ishte në “udhëtimin e vdekjes”.
Ministri i Brendshëm italian, Matteo Piantedosi, kundërshtoi sugjerimet se operacioni i shpëtimit u vonua ose u ndikua nga politika e Qeverisë që dekurajon grupet e ndihmës që të qëndrojnë në det për të shpëtuar migrantë.
Agjencia kufitare e BE-së, Frontex, tha se avioni i agjencisë ka parë anijen pranë Krotone në orën 22:26 të shtunën dhe ka alarmuar autoritetet italiane. Italia dërgoi dy anije patrullimi, por ato u detyruan që të ktheheshin mbrapsht për shkak të motit të keq.
Piantedosi i tha një komisioni parlamentar se anija preku në cekëtinë dhe u copëtua rreth orës 05:00 të së dielës.
“Nuk ka pasur vonesa”, tha Piantedosi për Corriera della Sera. “U bë gjithçka që ishte e mundur duke pasur parasysh kushtet e rënda që ishin në det”.
Roja Bregdetare italiane lëshoi një deklaratë më 28 shkurt duke thënë se Frontex la të kuptohet se anija e migrantëve po “navigonte normalisht” dhe se vetëm një person shihej mbi kuvertën e anijes.
Roja shtoi se anija patrulluese e policisë kufitare “që veçse ishte duke operuar në det” u nis për të kapur anijen me migrantë.
“Rreth orës 04:30, disa indikacione përmes telefonit nga subjektet në tokë, në lidhje me një anije në rrezik, pak metra larg bregut, arritën te rojet bregdetare”, u tha në deklaratë.
Në atë pikë, anija e karabinerëve që ishte lajmëruar nga policia kufitare “njoftoi rojën bregdetare lidhur me fundosjen e anijes”.
Për dallim me rastet e ngjashme kur anijet me migrantë kanë qenë në vështirësi “asnjë indikacion telefonik nuk erdhi nga migrantët që ishin në anije”, tha roja bregdetare italiane.
Nuk është e pazakonshme që migrantët në anijet që gjenden në vështirësi të telefonojnë Alarm Phone, që është një linjë telefonike humanitare që u ofron mbështetje dhe që njofton autoritetet se anijet gjenden në vështirësi gjatë lundrimit të tyre në detin Mesdhe.
Teksa po informonte ligjvënësit për këtë rast, ministri i Jashtëm italian përmendi shifra që mbështesin frustrimin e kamotshëm të Italisë me shtetet e tjera të BE-së që nuk iu përmbahen zotimeve që të pranojnë migrantët që kërkojnë azil, të cilët arrijnë në Itali.
Piantedosi tha se përderisa këto zotime mbulojnë rreth 8.000 migrantë të zhvendosur qershorin e vitit të kaluar deri këtë muaj, vetëm 387 persona në të vërtetë janë transferuar në vendet e tjera të BE-së, me Gjermaninë që ka pranuar shumicën e këtyre migrantëve.