Protestat kanë shpërthyer në Greqi, pas aksidentit hekurudhor që vrau 43 persona, me shumë njerëz që e shohin atë si një aksident që pritej të ndodhte.
Protestuesit u përleshën me policinë jashtë selisë së Hellenic Train në Athinë – kompania përgjegjëse për mirëmbajtjen e hekurudhave të Greqisë, raporton BBC.
Protestat u mbajtën edhe në Selanik dhe qytetin e Larissës, pranë vendit ku ndodhi fatkeqësia mbrëmjen e së martës.
Qeveria ka thënë se një hetim i pavarur do të japë drejtësi.
Tri ditë zie kombëtare janë shpallur në të gjithë vendin pas incidentit, në të cilin, një tren pasagjerësh u përplas kokë më kokë në një tren mallrash, duke bërë që vagonët e përparmë të shpërthejnë në flakë.
Vagonat e përparme të trenit të pasagjerëve u shkatërruan kryesisht.
Shumë nga 350 pasagjerët në bord ishin studentë rreth të 20-ave që ktheheshin në Selanik pas një fundjave të gjatë.
Kryeministri Kyriakos Mitsotakis ka thënë se “gabimi tragjik njerëzor” ishte fajtor për katastrofën.
Një shef stacioni 59-vjeçar në Larissa është akuzuar për vrasje nga pakujdesia. Ai ka mohuar çdo krim, duke lënë aksidentin tragjik si pasojë e një defekti teknik.
Anëtarët e sindikatës së hekurudhave besojnë se sistemet e sigurisë nuk po funksiononin siç duhet, me paralajmërime të përsëritura për këtë gjatë shumë viteve.
Në protestë, punëtorët e hekurudhave po planifikojnë të bëjnë grevë të enjten për atë që ata thonë se është neglizhencë zyrtare e hekurudhave.
“Dhimbja është kthyer në zemërim për dhjetëra kolegë dhe bashkëqytetarë të vdekur dhe të plagosur”, thuhet në një deklaratë të sindikatës së punëtorëve për të shpallur grevën.
“Mosrespekti i treguar ndër vite nga qeveritë ndaj hekurudhave greke, çoi në rezultatin tragjik,” ka shtuar ai në komentet e cituara nga agjencia e lajmeve Reuters.
Ministri i Transportit, Kostas Karamanlis, ka dhënë dorëheqjen pas aksidentit, duke thënë se do të merrte përgjegjësinë për “dështimet e gjata” të autoriteteve për të rregulluar një sistem hekurudhor që ai tha se nuk ishte i përshtatshëm për shekullin e 21-të.
Të gjitha festimet publike janë anuluar dhe flamujt në ndërtesat publike do të valëviten në gjysmështizë deri të premten.