Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka njoftuar se i ka përcjellë amandamentet kushtetuese të vettingut në Gjykatën Kushtetuese.
Përmes një postimi në Facebook, Konjufca është shprehur i lumtur që reforma në drejtësi është në rrugë të mbarë.
“Në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese dhe pas përfundimit të punës së Komisionit Ad Hoc për vetingun në sistemin e drejtësisë, sot i kam përcjellë amendamentet Kushtetuese në Gjykatën Kushtetuese për të marrë përgjigje nëse të njëjtat janë në përputhje me Kapitullin II të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, ka shkruar ai.
“Jam i gëzuar që reforma në drejtësi është në rrugë të mbarë. Vetëm përmes saj, Republika e Kosovës do të jetë shtet i së drejtës dhe do të kthehet besimi i qytetarëve në institucionet e drejtësisë”, shtoi Konjufca.
Ai i ka falënderuar anëtarët e Komisionit Ad Hoc, përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë dhe institucioneve të drejtësisë, partnerët dhe ekspertët, për punën e tyre në këtë proces të rëndësishëm.
Procesi i Vettingut synon që brenda pesë vjetësh të zhvillohet në tri faza.
Faza e parë do të përfshijë të gjithë anëtarët e Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës, pesë anëtarë të Gjykatës Supreme dhe kryeprokurorin e shtetit.
Në fazën e dytë të procesit do t’i nënshtrohet Gjykata Supreme në tërësi dhe prokurorët në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.
Po ashtu, në fazën e dytë procesit do t’i nënshtrohen edhe zyrtarët në pozita të larta drejtuese brenda sistemit si administratorët e gjykatave dhe prokurorive, drejtorët e sekretariateve, si dhe drejtori i Njësisë për Inspektim Gjyqësor në KGJK.
Gjatë kësaj faze, do të zhvillohet procesi i rekrutimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve të rinj si parapërgatitje për fazën e tretë.
Ndërsa, në fazën e tretë të Vettingut do t’i nënshtrohen gjyqtarët mbikëqyrës të degëve, pastaj gjyqtarët dhe prokurorët e gjykatave dhe prokurorive themelore.