Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në takimin në Bruksel të hënën, me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi, ishte i gatshëm të nënshkruante Planin evropian, por kjo u refuzua kategorikisht nga Vuçiqi.
Ai ka thënë se premisa bazë e e tij si kryeministër është që nuk do të lejonte të negocionte asgjë që nuk është në përputhje me sistemin kushtetues e ligjor të Republikës apo diçka që synon terriotarilizimin, monoetnicitetit apo krijimin e urave për ndërhyrje të Serbisë në punët e brendshme të Kosovës.
“Asnjë nga këto, asnjëherë. Gabimet politike, historike të qeverive të kaluara nuk do të përsëriten asnjëherë, do të bëj përpjekje që ato gabime t’i eliminoj apo t’i reduktoj”, ka thënë Kurti.
Ai ka theksuar se BE-ja e ka propozuar zyrtarisht vetëm njërin dokument, marrëveshjen bazë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Në Bruksel më 27 shkurt isha pjesëmarrës në dy takime. Në takimi trilateral unë i ofrova BE-së nënshkrimin zyrtar si kryeministër të marrëveshjes bazike. Këtë propozim e refuzoi menjëherë Vuçiqi , ky refuzim ishte i natyrës kategorike gjë që e bëri publike pas daljes nga takimi. Qëndrimi i Borrellit është që ky dokument nuk do të diskutohet më, ka një format të finalizuar dhe për këtë arsye është shpallur zyrtar. Të dy palët janë pajtuar me një pozicion të tillë, por kjo nuk nënkupton që palët e kanë pranuar zyrtarisht marrëveshjen”.
“Pranimi bëhet vetëm përmes nënshkrimit të të dyja palëve, refuzimi për ta nënshkruar nga ana e Serbisë është tregues se ata nuk janë dakord me përmbajtjen, nuk kanë gatishmëri për t’i dhënë formë obligative juridike e ndërkombëtare marrëveshjes së tillë. Ka dallim të madh ndërmjet pranimit të një teksti të një marrëveshje si një dimension simbolik dhe në anën tjetër pranimit për t’i ndërmarrë obligimet juridike ndërkombëtare të saj”.
Sipas tij, e para është pa asnjë pasojë politike apo juridike dhe ka natyrë simbolike, kurse e dyta ka pasoja juridike dhe politike.
“Vuçiqi e ka refuzuar të dytën, pra po refuzon ta pranojë marrëveshjen si kuadër i detyrimeve ndërkombëtare të detyrueshme për palët në të drejtën ndërkombëtare”.
Ai thotë se arsyet e refuzimit të tij do të duhet të ishin një pikënisje mbi vlerësimin racional e utilitar të pyetjes se për kë është e favorshme një marrëveshje e për kë jo.
“Ata që thonë që kjo marrëveshje nuk ka njohje de facto e kanë barrën e provës se pse atëherë e refuzoi presidenti i Serbisë. Ata që thonë që kjo marrëveshje nuk është e përqendruar në rregullimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve të pavarura duhet të mendojnë se pse atëherë Vuçiqi e konsideron nënshkrimin e saj si shkelje e vijave të kuqe”, tha Kurti.
Po ashtu, ai shtoi se marrëveshja i hap rrugë Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.