Zëdhënësi i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Peter Stano, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, janë pajtuar mbi propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.
Sipas tij, në takimin e së hënës në Bruksel, nuk pritej të nënshkruhej diçka.
“Nuk do të hyjmë në komentime të secilës deklaratë, apo secilit interpretim në rajon rreth asaj se për çfarë janë pajtuar. Kjo është shumë e qartë nga teksti. Nuk ka qenë kurrë çështja rreth një nënshkrimi. Ky takim të hënën ishte për të diskutuar për propozimin e BE-së, për të cilin, u pajtuan të dyja palët se nuk ka nevojë për diskutime të mëtejshme për këtë propozim që po bëhet marrëveshje për rrugën drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë. Kishte kuptim se punë e mëtejmë do të vazhdohet kur bëhet fjalë për të diskutuar implementimin dhe për të siguruar se ka hapa konkretë në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve“, ka thënë Stano.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në takimin në Bruksel të hënën, me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi, ishte i gatshëm të nënshkruante Planin evropian, por kjo u refuzua kategorikisht nga Vuçiqi.
Ai ka thënë se premisa bazë e e tij si kryeministër është që nuk do të lejonte të negocionte asgjë që nuk është në përputhje me sistemin kushtetues e ligjor të Republikës apo diçka që synon terriotarilizimin, monoetnicitetit apo krijimin e urave për ndërhyrje të Serbisë në punët e brendshme të Kosovës.
“Asnjë nga këto, asnjëherë. Gabimet politike, historike të qeverive të kaluara nuk do të përsëriten asnjëherë, do të bëj përpjekje që ato gabime t’i eliminoj apo t’i reduktoj”, ka thënë Kurti.
Ai ka theksuar se BE-ja e ka propozuar zyrtarisht vetëm njërin dokument, marrëveshjen bazë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.