Klasat, korridoret e tualetet janë në gjendje shumë të keqe, pasi aty ka mbeturina e qese mbetjeje nga ushqimet por edhe kundërmim nëpër tualete.
Ikballe Mecinaj është njëra nga punonjëset që kujdeset për pastërtinë në shkollën e mesme ekonomike “Hoxhë Kadri Prishtina” në kryeqytet.
Ajo tregon se këto mbeturina janë grumbulluar vetëm sot në ndërrimin e paradites, gjendje që tregon sa shumë punojnë.
“Kemi shumë nxënës është e pamundur që pas çdo ore që kryhet pa i pastru koridoret edhe banjot. Klasat nuk ka mundësi se janë nxënësit, por nëse bëhet shumë bërllog edhe në atë kohë hyjmë e marrim bërllokun dhe e heqim”, ka thënë ajo.
Mecinaj bashkë me disa punonjës tjerë të enjten kanë dalë në vendin e punës por nuk kanë punuar. Kjo për shkak se ende nuk e kanë marrë pagën e muajit shkurt, 255 euro me të cilat ajo e mbanë familjen si e vetmja e punësuar.
“Muajin e kaluar kemi lyp ku kemi mujt, kemi pas qe besa edhe kredi edhe sdi as qysh ia dalim sdi, sdi çka me të thanë”, ka thënë tutje.
Përfaqësuesi sindikal, i cili ka 18 vite që punon në këtë shkollë, thotë se kompanisë private, për të cilën punojnë, Kuvendi komunal nuk ia ka vazhduar kontratën. Feim Bislimi tregon se edhe brenda shkollës janë të diskriminuar në raport me kolegët tjerë që nuk janë pjesë e kompanisë private.
“Këta 3-4 muaj kanë marrë nga 50 euro ne jo, për rrezikimi në pandemi i kanë marrë nga 100 euro këta hiq, festat që i marrin pushime ne hiq, në të njëjtën shkollë ne jemi të diskriminuara. Për shujta i kanë marrë nga 2-3 mijë euro me avokatë neve na kanë thënë nuk ju takon”, ka thënë ai.
Në këtë formë kanë protestuar edhe punonjës të pesë shkollave tjera në Prishtinë, ndërkaq janë gjashtë shkolla në të cilat për muajin shkurt nuk janë paguar një pjesë e punëtorëve teknik.
Për nivelin e pastërtisë nuk dihet, por në gjendje të njëjtë që nga sot janë edhe pesë shkolla të tjera në Prishtinë. Nga sindikata e Pavarur e Sektorit Privat, thonë se përgjigja nga drejtoria e Arsimit ka qenë se nuk kemi mbështetje ligjore që të bëjmë pagesën e muajit shkurt për këta punëtorë.
“Ne kemi shkuar në prokurimin publik dhe kemi pyetur nëse për punën që e ka kry operatori i mëhershëm nuk është zgjedh operatori i ri, si të veprohet. Nga prokurimi publik thonë decidivisht: nuk guxon me mbetë asnjë minut zbrazëti dhe komuna e Prishtinës dhe të gjitha isntitucionet e tjera kanëtë drejtë të negociojnë me operatorin që është brenda për brenda dhe ti vazhdohet mandati asaj kompanie deri sa të përfundoj procedura e prokurimit”, ka thënë Jusuf Azemi, nga Sindikata e Pavarur e Sektorit.
Edhe RTV Dukagjini ka tentuar të marrë përgjigje nga Komuna e Prishtinës se pse 40 punëtorët teknikë kanë mbetur pa paga në muajin shkurt.
Përmes telefonit gjatë ditës nuk është përgjigjur drejtoresha e arsimit, Besianë Musmurati. Për temën nuk ka dashur të flas as i pari i Prishtinës, Përparim Rama, përkundër insistimit nga RTV Dukagjini.
Megjithatë Komuna e Prishtinës ka vendosur që të merret me këtë rast. Në kohën sa RTV Dukagjini po qëndronte në zyrat e Sindikatës, kryetari Jusuf Azemi është ftuar për diskutim nga zyrtarët komunalë.