Zyrtarët e Bashkimit Evropian dhe vendet nga blloku i përbërë prej 27 shtetesh, po diskutojnë planet për të dhënë një miliard euro shtesë, si dhe krijimin e një skeme të përbashkët prokurimi për të përshpejtuar dërgimin e artilerisë, për të cilën, Ukraina ka thënë se është vendimtare për t’iu kundërvënë forcave ruse.
Me Ukrainën që po përballet me mungesë municionesh për të luftuar Rusinë, ideja e krijimit të një plani veprimi të ngjashëm me atë të krijuar gjatë pandemisë së koronavirusit për të blerë vaksina, u soll për herë të parë në tryezë muajin e kaluar nga kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas.
BE-ja e ka ndihmuar Ukrainën përmes Fondit të saj Evropian të Paqes – një fond që përdoret për të rimbursuar vendet anëtare që ofrojnë armë, municion dhe mbështetje ushtarake për Ukrainën.
Sipas propozimit të fundit, vendet anëtare që ofrojnë municion menjëherë, u garantohet se do të rimbursohen me shpejtësi.
Për të financuar projektin, shtetet anëtare do të duhet të përdorin një miliardë euro shtesë, pasi ata tashmë ranë dakord në dhjetor për të plotësuar Fondacionin Evropian të Paqes me 2 miliardë euro të tjera dhe me një mundësi për një shtesë prej 3.5 miliardë eurosh.
Sipas një zyrtari të BE-së, gjithsej 12 kompani në nëntë shtete anëtare po prodhojnë municionin e nevojshëm për Ukrainën. Komisioni Evropian do t’i stimulojë këto kompani që të rrisin prodhimin, me garanci për kërkesë afatgjate.
Sipas vlerësimeve të ndryshme, Ukraina po gjuan 6,000-7,000 predha artilerie çdo ditë, që është rreth një e treta e totalit të Rusisë.
Plani do të diskutohet nga ministrat e Mbrojtjes së BE-së javën e ardhshme.